Një person në zonën e Selenicës është filmuar nga disa qytetarë të çastit teksa po keqtraton një kalë. 37-vjeçari me iniciale G. H., ka lidhur kalin në makinë dhe e tërheq zvarrë gjatë gjithë rrugës.
Këto pamje u publikuan nga portali “JOQ” ndërsa në një njoftim zyrtar ka reaguar dhe policia e shtetit ku thotë se 37-vjeçari është shoqëruar drejt komisariatit policor. Më tej është bërë me dije se shtetasi me iniciale G. H., është gjobitur në vlerën e 1 milionë lekë të vjetra ndërsa është konfiskuar dhe mjeti i tij i tipit “Benz”.
Njoftimi i plotë i policisë së shtetit:
Bazuar në pamjet e publikuara në portalin JOQ, ku shihet një shtetas duke tërhequr me makinë një kafshë (kalë) në zonën e Selenicës, shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë kanë nisur menjëherë verifikimet, ku bën të mundur identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit tip “Benz”, shtetasit G. H., 37 vjeç, banues në fshatin Mavrovë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi G. H. është proceduar penalisht për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.
Njëkohësisht, nga Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë është verifikuar dokumentacioni i automjetit të shfaqur në video. Pas konstatimit të disa shkeljeve të Kodit Rrugor, shtetasi G. H. është gjobitur me masë administrative në vlerën 110000 lekë, ndërsa automjeti tip “Benz” është konfiskuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.