
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjyq të një grupi të strukturuar kriminal, i cili akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, duke përfshirë sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasje, drejtimin e grupeve kriminale, trafik armësh, kërcënime ndaj drejtësisë dhe arratisje të të burgosurve.
Mes të pandehurve figurojnë emra të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka, por edhe të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e skemave kriminale. Ata janë të akuzuar për disa atentate të planifikuara dhe për organizimin e grupeve të strukturuara kriminale që operonin brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Si vepronte grupi kriminal?
Sipas hetimeve të SPAK, ky grup operonte në mënyrë të organizuar duke përfshirë persona të ndryshëm në role specifike, nga financimi dhe sigurimi i armëve deri te ekzekutimi i atentateve. Në disa raste, të pandehurit kanë përdorur informatorë për të ndjekur lëvizjet e viktimave, duke përgatitur terrenin për goditjen e tyre.
Ndër atentatet e planifikuara, hetimet zbuluan se:
Grupi ka organizuar atentate ndaj Durim Bamit, Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, duke përdorur armë dhe eksplozivë.
Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi, pavarësisht se ndodheshin në burg, kanë komunikuar me anëtarë të tjerë të grupit duke përdorur telefona celularë të kontrabanduar për të drejtuar ekzekutimet dhe për të ndikuar në vendimet e drejtësisë.
Disa nga të pandehurit kanë ndihmuar personat në kërkim për t’u arratisur përmes rrugëve të paligjshme, sidomos përmes kufirit me Malin e Zi dhe Liqenin e Shkodrës.
Presion ndaj drejtësisë dhe arratisje nga arresti
Një nga aspektet më të rënda të hetimit lidhet me kërcënimet dhe presionin ndaj gjyqtarëve. Sipas SPAK, Emiljano Shullazi ka urdhëruar sulmin ndaj një familjari të një gjyqtareje, e cila shqyrtonte një çështje ku ai ishte i përfshirë. Ky veprim u ndërmor për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë dhe për të ndikuar në një vendim gjyqësor.
Nga ana tjetër, Astrit Avdyli, ndonëse ishte nën masën e arrestit në shtëpi, u arratis duke shmangur kontrollet policore. Ai ishte në arrati për një periudhë kohe derisa u lokalizua dhe u arrestua sërish nga autoritetet.