I përgjakshëm ishte ky mëngjes i së martës për vendin tonë. Një automjet tip “Benz” rreth orës 04:00 të mëngjesit u aksidentua në afërsi të Këlcyrës dhe si pasojë humbën jetën 8 persona, 7 emigrantë dhe shoferi i mjetit.
Së fundmi, burime për mediat bëjnë me dije se mjeti me të cilin 7 emigrantët e paligjshëm po udhëtonin, drejtohej nga një shkodran i identifikuar si Edison Bregaj.
Sa i përket identitetit të emigrantëve deri më tani nuk dihen emrat e tyre, policia po punon për identifikimin e tyre.
Aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte. Edison Bregaj, po transportonte 7 emgirantë të cilët kishin hyrë në vendin tonë nga një vend i BE-së në mënyrë ilegale. Në momentin që shoferi i mjetit tip “Benz” pa se u pikas nga patrulla e policisë në këtë aks rrugor, me shpejtësi shumë të lartë, 200 km në orë, u përpoq që t’iu shpëtonte.
Mirëpo, fatkeqësisht nga shpejtësia e lartë ai humbi kontrollin mbi mjetin duke dalë kështu nga rruga dhe përfundoi në anë të lumit Vjosa.
Nga pamjet që Newsbomb.al solli më herët automjeti me të cilin po udhëtonin 8 viktima ishte shkatërruar plotësisht.