
Shërbimet e inteligjëncës në burgun e Fushë-Krujës kanë parandaluar futjen e disa sendeve të paligjshme brenda ambienteve të burgimit.
Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar në flagrancë punonjësi i rolit bazë Hidër Çali, i cili në momentin e ndërrimeve të turnit ka hedhur një qese të zezë me pëshë 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm me qëllimin për t’i futur më pas brenda në burg.
Ky veprim është konstatuar menjëherë nga autoritetet e burgut ndërsa brenda qeses janë gjetur dhe sekuestruar 22 celularë, 30 doza kokainë dhe 30 koka përshatëse karikuesi për Iphone dhe Adroid.
Mbi Hidër Çalin rëndojnë akuzat e “Futja e sendeve të ndaluara”, Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
“Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:
- 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
- 3 doza kokainë
- 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone
Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.
Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.
Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë si i dyshuar për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Ky rast konfirmon edhe një herë vigjilencën e inteligjencës operative në burgjet shqiptare, e cila vijon të luajë një rol kyç në parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit,” thuhet në njoftim.