
Dy shtetas që po tentonin të dilnin nga territori i Shqipërisë janë ndaluar në Doganën e Hanit të Hotit dhe në Portin e Durrësit. Departamenti i Policisë Kufitare ka intensifikuar punën për të menaxhuar fluksin e lëvizjes, si dhe për të parandaluar krimet në kufi dhe lëvizjen ilegale të shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të vendit, të mbështetura në analizat e riskut dhe në punën e inteligjencës policore, shërbimet e Policisë Kufitare vunë në pranga 2 shtetas, konkretisht:
-në PKK Hani i Hotit, në dalje, u ndalua shtetasi K. N. (M.), 35 vjeç, sepse pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga autoritetet në Spanjë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.
-në PKK Port, Durrës, u dalje, u arrestua në flagrancë shtetasi turk Y. A., 47 vjeç, pasi nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi se posedonte një leje qëndrimi në Francë, të dyshuar të falsifikuar. Dokumenti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të Shkodrës dhe Durrësit, për veprime të mëtejshme.