Vendoset në pranga një shtetas me iniciale S. Ll, i cili dyshohet se ka patur djeni mbi krimin e ndodhur në Peqin me 24 Tetor ku mbeti i plagosur në këmbë një 41 vjeçar.
50 vjeçari me iniciale S. Ll., akuzohet për “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ky person dyshohet të ketë patur djeni mbi krimin e ndodhur dhe rrethanat, gjithashtu ai dyshohet se ka fshehur dhe dvr-në e kamerave të sigurisë të subjektit që ndodhet pranë vendit të ngjarjes.
“Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në lagjen "Xhami", ku shtetasi A. T, 26 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, plagosi me armë zjarri në këmbë, shtetasin Sh. C., rreth 41 vjeç, strukturat për Hetimin e Krimeve të DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin:
- S. Ll., 50 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale "Moskallëzimi i Krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", pasi 50 vjeçari nuk kallëzuar për krimin dhe ka hequr dhe fshehur dvr-n e kamerave të subjektit të tij, i cili ndodhej afër vendngjarjes.
Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorit të dyshuar, të shpallur në kërkim për veprat penale "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", njoftoi policia.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Xhami” të Peqinit ku dy shtetas për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin, konflikt që ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Shtetasi Sh. C., ka mbetur i plagosur në këmbë, ndërsa në kërkim është shpallur personi tjetër me iniciale A. T., 26 vjeç.