Një 41 vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kësaj të enjte në Peqin. Shtetasi me inicialet Sh. C ka mbërritur i gjakosur në spital dhe menjëherë sapo ka marrë njoftim, Komisariati i Peqinit është vënë në lëvizje për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan u bë identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. T, 26 vjeç.
Rreth orës 21:10 të mbrëmjes së sotme, këta dy shtetas kanë pasur një konflikt për motive të dobëta që ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Xhami" të Peqinit.
Policia bën me dije se shtetasi Sh. C., ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, nga ana e shërbimeve policore vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, me kontrolle dhe postblloqe që janë ngritur në disa zona.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas marrjes se njoftimit se në spitalin e Peqinit, është dërguar për mjekim, i plagosur në këmbë dyshohet me armë zjarri shtetasi Sh. C., rreth 41 vjeç, banues në Peqin, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan u bë identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. T, 26 vjeç, i cili dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 21:10, në lagjen "Xhami" Peqin, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin Sh. C., rreth 41 vjeç.
Shtetasi Sh. C., ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit", njofton Policia e Elbasanit.