
Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar se ditën e nesërme do të publikohen të dhënat e Censit2023 për popullsinë dhe banesat të mbledhura gjatë muajit shtator-tetor-nëntor të vitit të shkuar.
“Më datën 28 Qershor, INSTAT ka parashikuar të publikojë të dhënat Censit2023 për popullsinë dhe banesat. Të dhëna të cilat do të japin një panoramë të qartë se ku ndodhet vendi aktualisht, duke qenë se Censi i fundit është ndërmarrë në vitin 2011”,- thuhet në njoftimin e INSTAT.
Sipas INSTAT vetëm një përqindje e vogël popullsie ka mbetur e pa regjistruar, ndërsa thuhet se Censi do të sigurojë një panoramë të gjerë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë, duke përfshirë të gjitha aspektet socio-ekonomike dhe demografike të saj.
Të dhënat e mbledhura do të hedhin dritë mbi lëvizjet demografike të realizuar në këto vite, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin dhe të tjera, të cilat do të tregojnë si dhe ku jetojnë qytetarët e Shqipërisë në vitin 2023.
Pas publikimit të këtyre të dhënave të rëndësishme, pushteti vendor dhe ai qendror do të kenë mundësinë që të ndërmarrin politika konkrete dhe të mirëorientuara, që lidhen me zhvillimin e ekonomisë, bizneset, orientimin e masave mbështetëse si dhe ndihmës sociale dhe ekonomike.
Gjithashtu, nëpërmjet tyre do të jepet edhe një prognozë e qartë e problematikave dhe situatës reale social-ekonomike si dhe shkaqeve të emigrimit, mbi të cilat mund të ndërmerren politika frenuese.
Ky është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923. Censi u realizua në 3 muajt e fundit të vitit 2023, pas një mungese të gjatë që nga ai i fundit që u realizua në vitin 2011.