Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e djeshme një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë në një nga sallat e stadiumit “Galatsi”. Në këtë event, Rama ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda dhe kabinieti qeveritar. Në morinë e aludimeve që e pasuan këtë takim, më herët ishte edhe ai që kryeministri kishte marrë me vete administratën e tij për të mbushur këtë sallë.
Emisioni investigativ “Piranjat” ka publikuar një sekuencë të një videoje, e cila i paraprin investigimit të plotë, ku drejtori i teatrit “Bylis” në Fier, Klajdi Marku ka deklaruar se ishte i detyruar që të merrte pjesë në këtë takim.
Gjatë një bisede që i infiltruari i emisionit ka zhvilluar me drejtorin ai ka treguar se pozicioni i tij ja diktonte që të vinte në mënyrë detyruese në këtë vend, pasi me këtë rrogë ushqehet, ndërsa evidenton se ai duhet edhe që ta faktojë praninë e tij nëpërmjet fotove.
“Unë jam drejtori i teatrit të Fierit, këta janë çunat tanë të qendrave kulturore e kështu. Hajt mo, Shqipëri hesapi, si të tërë. E bëre fotografinë, i thua, ja isha, e hedh online. Në rregull vëlla, mirupafshim! Marrim rrogën vëlla, çfarë do bëjmë? Ushqehemi, pikë muhabeti!”,- u shpreh drejtori i teatrit të Fierit, Klajdi Marku.
Nisur nga ajo që thotë drejtori Marku, në Galatsi, përpos emigrantëve shqiptarë ka pasur edhe një prezencë të lartë të punonjësve të administratës shtetërore.
“Po po, në Fier nuk ka ngelur njeri fare”,- thotë drejtori Klajdi Marku.
Më herët, mediat greke raportuan se kryeministri Edi Rama ka mbushur autobuzë me njerëz nga Shqipëria për ti sjellë në Athinë, teksa e cilësuan takimin si një provokim pasi dita e vizitës së tij përkonte me arrestimin e ish-kandidatit për kryetar Bashkie në Himarë, Fredi Beleri, një vit më parë.
Ndërkohë, vlen të theksojmë se emisioni investigativ paralajmëron për rrëfime të tjera nga kryetarë të Bashkive, punonjës të administratës si dhe nxënës të shkollave që do të shoqërojnë dëshminë e drejtorit Klaidi Marku për takimin e Ramës në Athinë, të cilat vërtetojnë abuzimin e qeverisë me nënpunësit e saj.