Studentët e Shkollës së Magjistraturës që janë regjistruar për të marrë pjesë në fazën e parë të provimit të pranimit në profilin gjyqtar, prokuror dhe ndihmës ligjor për programin e formimit fillestar për vitin akademik 2024 – 2025, kanë hartuar sot një peticion.
Ata kërkojnë që lista e kandidatëve fitues të shpallet e pavlefshme dhe provimi i pranimit gjithashtu, për shkak se studentët pretendojnë se procesi është manipuluar.
Referuar tekstit të peticionit, zbardhur nga newsbomb.al, studentët për profilet e mësipërme në Shkollën e Magjistraturës pretendojnë se fillimisht janë shpallur 79 kandidatë fitues. Mirëpo, stafi i shkollës ka njoftuar se tezat janë ri-korrigjuar për shkak se pajisja e "scantronit" nuk ka punuar.
Kjo, sipas studentëve është pranuar dhe nga kreu i këtij institucioni, profesor Arben Rakipi.
Pasi studentët janë larguar, tezat janë ri-korrigjuar dhe lista përfundimtare e kandidatëve fitues ka shkuar në 121 fitues, nga 79 që ishte në fazën e parë. Studentët pretendojnë se procesi është manipuluar qëllimisht për të futur mes fituesve dhe studentë të tjerë.
"Ky fakt cënon rëndë procesin e transparencës, e cila parashikohet në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës. Sa më sipër, kërkojmë anulimin e procesit të pranimit", thuhet në peticionin që mban firmën e 27 studentëve të Magjistraturës.
Procesi i pranimit me "scantron" është zhvilluar dje, më datë 22 prill dhe në përfundim të tij, janë korrigjuar tezat e secilit studentë dhe në prani të pjesëmarrësve janë shpallur publikisht rezultatet e pranimit. Pra, janë shpallur fitues 79 kandidatë, shkruan newsbomb.al.
Mirëpo, studentët thonë se kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi u ka pranuar sot, më datë 23 prill se procesi i korrigjimit të tezave të pranimit të provimit për profilet gjyqtar, prokuror dhe ndihmës ligjor ka pasur probleme. Ata thekson se Rakipi u ka pohuar se edhe pajisja e "scantron" nuk ka funksionuar më datë 22 Prill.
© Newsbomb.al