
Drejtoria e Burgjeve ka reaguar menjëherë pas deklaratës së bërë nga SPAK ku shkruhej se statusi për gjendjen gjyqësore për shtetasin Erion Veliaj, është marrë nga ky institucion.
Në deklaratën zyrtare, Drejtoria e Burgjeve ka sqaruar se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, si dhe në bazë të kërkesës së SPAK për vërtetim të historikut të Erion Veliajt, ka rezultuar se ky individ është i padënuar më parë dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.
“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin E. V., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979.
Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.
Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” shkruhet ne deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve.