Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK zbardh skemën e grupit që trafikonte emigrantë: 31 masa sigurimi, sekuestrohen mijëra euro dhe pajisje për BITCOIN

Shkruar nga Newsbomb
SPAK zbardh skemën e grupit që trafikonte emigrantë: 31 masa
SPAK

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje në lidhje me operacionin e koduar ‘NOMADA’, ku u godit grupi kriminal i cili vepronte në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe vizave.

Grupi i strukturuar kriminal prodhonte pasaporta e karta identiteti false me qëllim dërgimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, Amerikës dhe Kanadasë.

Përmes një deklarate, SPAK bën të ditur se janë caktuar masat e sigurisë për 31 persona të marrë nën hetim, mes të cilëve edhe një punonjës i Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, por edhe ato të Kosovës.

Sipas njoftimit nga SPAK, ky grup kriminal, dyshohet se ndihmonte në kalimin e paligjshëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar konsiston në prodhimin e dokumentave te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera), kalimi i paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në SHBA apo Kanada, si dhe

SPAK njësoj si drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha në konferencë për shtyp, njofton se nga operacioni ndërkombëtar ku është përfshirë Policia e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit të SPAK me Prokurorinë Speciale në Spanjë, në Shqipëri janë lëshuar 31 urdhër-arreste dhe janë ekzekutuar 26 prej tyre, ndërsa 5 shtetas janë shpallur në kërkim.

Nga 5 shtetasit e shpallur në kërkim, 4 ndodhen jashtë Shqipërisë dhe një tjetër ndodhet brenda vendit, por nuk është kapur. Në përfundim të operacionit janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumenteve, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumente të tjera me rëndësi për hetimin.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me procedimin penal me nr.177, të vitit 2022, në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin e saj nr. 54, datë 06.06.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për 31 persona nën hetim, të cilët janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë dhe një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për gjashtë persona, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, parashikuar nga nenet 298/2 e 28/4; 189/1 e 28/4; 333/a dhe 334/1,  të Kodit Penal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle,  Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në interes të hetimeve të këtij procedimi penal, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale edhe me autoritetet ligjzbatuese të vendeve të tjera është bërë e mundur identifikimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të disa grupeve kriminale të lidhura me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.

Përgjatë hetimeve janë përdorur përveç të tjerave, edhe metodat speciale të hetimit nëpërmjet të cilave është dokumentuar veprimtaria kriminale, e cila ka konsistuar:

– në prodhimin e dokumentave te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera),  në gjetjen apo ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, në transportimin e personave ashtu edhe të dokumentave të falsifikuara kryesisht në shtetin e  Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.

-në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.

Në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që  përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust dhe projektit EU4FAST, për mbështetjen e dhënë në kuadër të hetimit të përbashkët hetimor!

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese