Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK vihet në lëvizje për inceneratorin e Tiranës, agjentët e BKH-së kontrolle në disa banesa

Shkruar nga Newsbomb
SPAK vihet në lëvizje për inceneratorin e Tiranës,
Inceneratori i Tiranes

Agjentë të BKH-së kanë dalë në terren dhe po kryejnë disa kontrolle në banesa, në shkak të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Burime për Report TV bëjnë me dije se kontrollet po zhvillohen me urdhër të prokurorit Dritan Prençi.

Kujtojmë se pak ditë më parë SPAK zgjati me 3 muaj hetimet për këtë çështje, teksa deri më tani janë pyetur disa zyrtarë të lartë, ndërsa disa të tjerë ndodhen pas hekurave. 

Inceneratori i Tiranës u shndërrua për shumë muaj në kryefjalë të mediave në vend, teksa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vijon hetimet për një nga aferat më të mëdha korruptive në vendin tonë.

Teksa janë shpallur në kërkim ndërkombëtar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, bashkë me ish zv. kryeministrin Arben Ahmetaj, detaje të tjera kanë dalë në dritë. Prokuroria e Posaçme ka arritur të hetojë dhe të faktojë se për Inceneratorin e Tiranës janë përdorur emra fiktivë, kryesisht pleq, të cilët edhe kanë firmosur pa vetëdije për fatura që kapnin vlera të frikshme.

Po ashtu është dhënë masa “Arrest me burg” për shtetasit Mariglen Qato, R.M., dhe Taulant Tusha, si dhe masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi.

Drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen se janë pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.

Mirëpo, nga një verifikim i newsbomb.al në databazën e "Open Data Albania" del se kompania është themeluar në vitin 2016 nga shtetasi Eduard Meta, i cili ka qenë 100% pronar i aksioneve të kapitalit. Në vitin 2017, ai ka vendosur të shesë 75% te kuotave në favor të ortakut të ri, Muhamet Petriti kundrejt çmimit 75 lekë.

Një vit më pas, në 2018, Eduard Meta vendosë të shesë dhe pjesën e mbetur të aksioneve, 255 të tyre për 25 lekë. Eduart Meta largohet si ortak i kompanisë dhe Muhamet Petriti bëhet pronar i vetëm në vlerën e 100% të aksioneve.

"Me date 04.03.2021, me ane te kontrates se shitjes se kuotave, Muhamet Petriti shet 100% te kapitalit ne favor te ortakut Nestor Muhametllari kundrejt cmimit 1.000.000 (nje milion) leke.. Pas shitjes se kuotave, Muhamet Petriti largohet si ortak, ndersa Nestor Muhametllari behet ortak i vetem", thuhet në databazë.

Nestor Muhametllari është nën masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë.

Pra, biznesmeni i akuzuar zyrtarisht nga SPAK ka blerë për 10 milionë lekë të vjetra ose 1 milionë lekë të reja një kompani që u shit për 100 lekë të reja ose 1 mijë lekë të vjetra. Gjatë këtyre viteve, “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.

Faktet penale të bërë publike nga Prokuroria e Posaçme:

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi R.M. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese