Hapësire reklamuese

Aktualitet

"SPAK sekuestroi celularët e njerëzve të Ajolës", gazetarja: Erion Veliaj po hetohet për pastrim parash!

Shkruar nga Newsbomb
"SPAK sekuestroi celularët e njerëzve të Ajolës",
Nje oficere e BKH - Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj

Prokuroria e Posaçme njohur si SPAK ka regjistruar zyrtarisht procedim penal për kryebashkiakun e Tiranës, duke marrë nën hetim Erion Veliajn. Çështja është në duart e prokurorit Ols Dado dhe siç duket nga shkresa që rrodhi në media, është kërkuar informacion nga të gjitha bankat.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala ka treguar mbrëmjen e sotme se nga burimet e saj ka mësuar se në kuadër të këtij hetimi, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar për llogari të hetimeve të SPAK celularët e njerëzve të afërt të Ajola Xoxës, bashkëshorte e Veliaj.

"Është kërkuar informacion edhe nga tatimet, që lidhen me një kompani që zotëron zonja Xoxa, që ka një kompani që jep shërbime të ndryshme. Janë bërë sekuestrime celularësh, personave shumë pranë zonjës Xoxa. Ky hetim është çelur vetëm pak ditë pasi zoti Veliaj është pyetur në SPAK për inceneratorin e Tiranës", tha Lala në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV.

Duke analizuar shkresën e prokurorit të SPAK që ka rrjedhur në media, juristët janë shprehur se referuar përmbajtjes së saj, kryebashkiaku Erion Veliaj është zyrtarisht një person që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, raporton newsbomb.al.

Pavarësisht nëse procedimi penal që po drejtohet nga prokurori Ols Dado ka lidhje me inceneratorin e Tiranës ose është krejt tjetër, zyrtarisht sipas juristëve, Erion Veliaj është një person që po hetohet si i dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

Sipas gazetares Klodiana Lala, procedimi penal ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë ka nisur nën dyshimet për pastrim të parave, një vepër penale shumë e rëndë për zyrtarët publikë, e cila nëse provohet rrezikon disa vite burgim.

"Pak minuta më parë më konfirmuan zyrtarisht, një oficer i BKH, që çështja penale që diskutuam ka nisur për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Pra dyshime të arsyeshme që është bërë pastrim parash.

Kjo nuk nis hetim administrativ, por është çështje penale që nis hetimi në gjenezë. Ju thatë janë disa drejtorë rastësorë, janë tre krahë të djathtë të Veliajt. Krahët e armatosur të Veliajt, që e kanë shoqëruar në çdo vend (Molla, Qato, Tusha)", përmbylli gazetarja.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese