Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK në Bashkinë e Tiranës, arrestohen disa drejtorë

Shkruar nga Newsbomb

SPAK në Bashkinë e Tiranës, arrestohen disa drejtorë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon punën e saj intensive në kuadër të luftës ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK ka trokitur sërish në dyert e Bashkisë së Tiranës, duke vënë në pranga disa drejtorë të rëndësishëm të këtij institucioni.

Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsbomb.al që bëhet fjalë për dosjen “5D”, që është denoncuar nga Belind Këlliçi. Prej muajsh, SPAK kishte nisur hetimet dhe sot janë lëshuar urdhër arrestet. Priten në vijim detaje të reja në lidhje me këtë operacion ku drejtësia po vepron edhe në një herë në një nga institucionet më të rëndësishme vendore siç është Bashkia e Tiranës.Mësohet se janë lëshuar 9 urdhër-arreste përfshirë kreun e IMT-së, Mariglen Qato dhe shtetasin R.M.

Kujtojmë që veç inceneratorit të Tiranës, një ndër dosjet e nxehta që është kallëzuar në SPAK për Bashkinë e Tiranës është dhe ajo e quajtur "5D". Ka qenë politikani Belind Këlliçi, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 Majit denoncoi drejtorët që merrnin miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.

Belind Këlliçi ka denoncuar korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë dhe njerëzit më të afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj. Konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato.

Mariglen Qato dhe familjarë të tij dyshohet se kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për 29 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë euro, që janë përfituar indirekt nga drejtori dhe krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj.

Që nga viti 2016 dhe në vazhdim, kompania “IGOR Elektrik” ka marrë 29 tendera me vlerë 25 milionë euro pa TVSH. 25 tendera janë dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, dhe katër të tjera nga dy institucione si OSSHE dhe ARRSH. "Përgjatë viteve, “IGOR Elektrik” ka ndryshuar emrin në “V.A.S Konstruksion” dhe më pas në “5D Korrupsion”, u shpreh Këlliçi më 26 Prill 2023.

Ajo ka për pronar Muhamet Petritin, vjehrrin e shtetasit Alfred Qato. Ky i fundit rezulton se është vëllai i drejtorit të Inspektoriatit të Territorit, Mariglen Qato, drejtori i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Nga të punësuar në Bashkinë e Tiranës, këta shtetas me në krye krahun e djathtë të Veliajt, janë kthyer në ndërtues dhe biznesmenë që bëjnë pallate e hotele. Kandidati Belind Këlliçi ka nxjerrë lejet e ndërtimit të përfituara nga kompania “5D Konstruksion”, pallate banimi 7 dhe 8 kate.

Por nuk përfundon me kaq. Kompania “5D Konstruksion” me pronar në letra vjehrrin e vëllait të drejtorit Mariglen Qato, ka marrë leje ndërtimi dhe në Durrës.

Belind Këlliçi në denoncimin e tij më herët shprehej se Mariglen Qato bashkë me Redi Mollën dhe Elvin Tivarin, dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dikur në UKT dhe tashmë punonjës të “Tirana DC” dhe të lidhur me Bashkinë e Tiranës, po ndërtojnë hotel me vlerë 15 milionë euro.

Dosja "5D" është quajtur e tillë për shkak të përfshirjes në të të 5 drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, duke përfshirë Mariglen Qaton.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese