Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të kalojë hetimin mbi masakrën në Dobraç, ku mbetën të vrarë katër persona, për në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas shqyrtimit të ngjarjes, prokuroria vendosi të shpallë moskompetencën e saj, duke e konsideruar këtë çështje të lidhur me një grup kriminal, gjë që e bën kompetencë të SPAK.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy javë më parë dhe i mori jetën 3 personave dhe plagosi rëndë një të katërt. Në mesin e tyre ishte edhe çifti fatkeq, Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët po udhëtonin me motor, kur papritmas u gjendën në mes të shkëmbimit të zjarrit mes makinës tip Benz ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe makinës së autorëve.
Makina tip Benz humbi kontrollin dhe përplasi çiftin e moshuar. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi vazhdon të luftojë për jetën në spital. Po ashtu edhe Hamza Lici mbeti i vdekur në vend nga plumbat, ndërsa Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më pas në spital, pas një plumbi në kokë.
Pas ngjarjes, një makinë e djegur u gjet në fshatin Grudë e Re, ku policia sekuestroi armë të përdorura në sulm. Ndërkohë, në automjetin e viktimave u gjetën tre pistoleta. Hetimet vijojnë, ndërsa dyshohet se përplasja lidhet me konflikte mes grupeve Bajri dhe Lici.
Deri më tani ende nuk është e qartë se kush ishte "shënjestra" e atentatit, Lici apo Bushati. Ndërkohë kujtojmë se Bushati pak javë më parë denoncoi në Policinë e Shkodrës një kërcënim e me armë zjarri që kishte ndodhur në pedonalen e qytetit.
32-vjeçari u paraqit në Komsiariatin e Shkodrës ku dhe denoncoi se persona të paidentifikuar të cilët qarkullonin me një motomomjet i kanë drejtuar armën e zjarrit.