Prokuroria e Posaçme ka perfunduar hetimet per per dosjen Xibraka, te rinisura disa muaj me pare pas administrimit të një informacioni të dërguar nga kreu I grupit parlamentar Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Olsi Rama në veprimtari të paligjshme.
Në përfundim të hetimeve rezulton se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu se përveç personave të cilët janë dënuar më parë, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.
Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.
Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.
Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.
Po në maj të këtij viti vëllai i kryeministrit depozitoi një padi në SPAK ndaj deputetit të opozitës Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit se ai ka lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë në vitin 2015. Në kallëzim e Olsi Ramës, thuhet se ai i referohet një deklarate të Bardhit bërë publike për median online lidhur me të. Sipas tij deklarimet e Bardhit përbëjnë elementë të veprës penale “Kallëzim të rremë”.
Goditja e laboratorit të drogës në Xibrakë
Grupi i drogës "Xibraka" u zbërthye në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit të asistuar nga agjentë të Policisë gjermane, ndërsa u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë, 10 km larg qytetit të Elbasanit. Në sajë të atij operacioni, tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.
U shpall në kërkim Genci Xhixha, i cili njihej si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Kanë qenë autoritet gjermane që në datën 17.12.2014, sollën në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Pas këtij informacioni Krimet e Rënda nisën hetimet që zgjatën afro 8 muaj. Rezultoi se të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në territorin e Shqipërisë një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.