Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjyq dënimin me 27 vite burg të Ilirjan Feçit, Agim Gjinit dhe Elvis Koçit. Këta tre shtetas janë arrestuar në kuadër të megaoperacionit të koduar "Plumbi i Artë", rreth tre vite më parë.
Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale, por kanë pranuar gjykimin e shkurtuar dhe nëse shpallen fajtorë, përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.
Ilirjan Feçi dhe Agim Gjini është kërkuar të dënohen përkatësisht me nga 10 vite burg secili, kurse për Elvis Koçin është kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dënimi me 7 vite burg. Tashmë është në dorën e togave të zeza që të vendosin nëse do të pranojnë apo jo pretencën e SPAK.
Vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë dëshmuar në polici detaje të reja për atentatin që ishte planifikuar për tu kryer ndaj Geron Hasenbelliut, tek "Don Bosko" në Tiranë. Sipas tyre, për këtë vrasje Ilirjan Feçi u ka premtuar 100 mijë euro.
Vetë Ilirjan Feçi dhe Kevin Zeneli, kanë thënë ata, e kishin ndjekur dy-tre herë Hasenbelliun për ta vrarë por nuk ia kishin dalë ta ekzekutonin.
Në atentatin e ndodhur në 4 janar 2022, në "Don Bosko" u vra gabimisht Erion alias Adriatik Çela nga Dibra dhe u plagosën rëndë, vëllai i viktimës, Blerim Çela dhe daja i tij Edmond Crroi, kamarieri i lokalit dhe një person tjetër.
Agim Gjini 51 vjeç, banues në Durrës është vënë në pranga dy vite më parë pasi është një nga të shumëkërkuarit nga operacioni “Plumbi i artë”, i nisur pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Gjini, banues në Durrës, është lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.