Eridan Munoz Guerriero, i cili në vendin tonë njihet si Eridan Veliu rezulton të ketë pastruar paratë me mbiemrin e gruas së tij kolumbiane.
Nga dosja hetimore e cila është bërë publike nga “Top Channel”, rezulton se ky shtetas, 21 pasuritë e të cilit iu konfiskuan në 9 janar të këtij vitit me kërkesë të SPAK, ka angazhuar një kompani ndërtimi dhe të afërm për të pastruar paratë e kokainës.
Përmes kësaj kompanie ndërtimi e cila operon në qytetin e Vlorës, ky shtetas rezulton që në vitin 2013 i "dhuroi" një të afërmi të një trafikanti katër apartamente në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Gjithashtu, një tjetër pasuri e cila nuk është mundur të justifikohet duke u sekuestruar nga SPAK ka qenë një truall prej 444 metra katrorë. Kjo tokë është blerë gjatë periudhës kur Eridan Veliu ka qenë i martuar me bashkëshorten shqiptare, e cila ja kaloi më pas në pronësi trafikantit.
Emri i tij lidhet me një prej proceseve më të mëdha gjyqësore në Belgjikë, të njohur si “Sky ECC,” ku janë përfshirë 124 të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në këtë proces, Veliu, i njohur edhe si Eridan Munoz Guerrero, 51 vjeç (me mbiemrin e gruas kolumbiane), u identifikua si drejtues i një rrjeti të gjerë trafiku droge. Ai është dënuar me 14 vite burg nga drejtësia belge.
“Kam qenë në krye të një organizate kriminale dhe kam marrë pjesë në trafik droge. Kam rrezikuar dhe kam humbur,” deklaroi ai në seancën e parë gjyqësore.
Hetimi lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe marijuanës, një operacion që u çmontua nga policia belge gjatë viteve 2021-2022, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe gjermane. Ky operacion, i quajtur “Encro” dhe “Sky ECC,” ishte i bazuar në dekriptimin e mesazheve nga platformat “Encrochat” dhe “Sky ECC,” të përdorura gjerësisht nga trafikantët e drogës.
Droga transportohej kryesisht me kontejnerë nga Amerika e Jugut dhe Maroku, përmes porteve kryesore evropiane si Antwerp në Belgjikë, Roterdam në Holandë, Hamburg në Gjermani dhe Le Havre në Francë. Prokuroria belgë deklaron se ka identifikuar grupe të strukturuara kriminale që veprojnë prej vitit 2017 dhe kanë lidhje tregtare ilegale mes tyre.
Ky hetim nisi në verën e vitit 2020, kur një zjarr në një apartament në Bruksel zbardhi një laborator kokaine të maskuar si hapësirë banimi. Ky incident u shndërrua në pikënisjen e zbulimit të një prej organizatave më të mëdha të trafikut të drogës në Belgjikë.
Operacioni kulmoi më 21 tetor 2021, me bastisje të njëkohshme në 114 lokacione në të gjithë Belgjikën, ku morën pjesë mbi 1100 oficerë policie. Autoritetet konfiskuan 32 ton kokainë, shuma të mëdha parash, dhjetëra automjete, armë, produkte luksi dhe prona të tjera.
Ndërkohë, edhe SPAK në Shqipëri ka sekuestruar pasuri të Eridian Guerreros. Një pjesë e fondeve të kësaj organizate kriminale rezulton të jetë transferuar dhe investuar në Shqipëri.