
Martin Musaj, zëvendës drejtor i Burgut të Bradasheshit në Elbasan, u arrestua në muajin korrik me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Prangosja e tij erdhi pas një operacioni të gjerë që u shtri në trekëndëshin Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Newsbomb.al mëson se ky shtetas është arrestuar për përfshirjen në planin e organizatës kriminale "Çopja" me qëllim eleminimin fizik të shtetasit Erion Alibej, i njohur në Elbasan me nofkën "Krymi".
Bëhet fjalë për një episod të zbuluar përgjatë viteve 2019-2020, kur anëtarët e klanit "Çopja" me porosi të Franc Çopjas planifikojnë vrasjen e Erion Alibej në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Elbasan, ku ky shtetas ishte shoqëruar.
Martin Musaj ka qenë punonjës policie në këtë drejtori dhe ka pasur akses në kamerat e institucionit. Pamjet dhe informacionet për lëvizjet e Erion Alibej brenda qelive të DVP Elbasan, ky shtetas ia dërgonte Arzen Mamës, i cili thurte plan me Mikael Qosen, sipas porosisë së Franc Çopjas.
Katër vite më pas, nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin e komunikimeve sekrete "SKY ECC", janë zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku janë përfshirë anëtarët e organizatës kriminale Çopja, mes tyre dhe zëvendës drejtori i Burgut të Bradasheshit, Martin Musaj. Për kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, ky shtetas ka qenë punonjës policie dhe ka pranuar të japë informacione për Erion Alibej, duke e ditur se qëllimi fundor ishte vrasja e tij.
Plani për vrasje në qelitë e Drejtorisë së Policisë Elbasan
Në muajin Shtator 2020, është planifikuar që të vritet shtetasi Erion Alibej. Nga bisedat e siguruara nga SPAK, Mikael Kamami dhe Arzen Mama flasin me njëri-tjetrin dhe nga to rezulton se organizata kriminale e drejtuar nga dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja ofronin 4 milionë euro që "Krymi" të vritej brenda qelive të Drejtorisë së Policisë Elbasan, ku ndodhej i arrestuar.
Informacionin e saktë për vendndodhjen dhe vendqëndrimin e Erion Alibej, këta shtetas do ta merrnin nga punonjësi i Policisë së Shtetit, Martin Musaj.
Më datë 22.08.2020, shtetasi Arzen Mama i tregon shtetasit Mikael Kamami se bashkë me "veshon" (shtetasin Martin Musaj) kanë bërë një plan se nëse kapet Erion Alibej ti vendosin një bombë në dhomë.
Mikael Kamami pasi ka lexuar mesazhet e Arzen Mamës e pyet nëse Martin Musaj ka besim tek ndonjë person me qëllim vendosjen e lëndës plasëse dhe mund ta vendosi vetë shifrën 3-4.000.000 Euro. Arzen Mama i tregon shtetasit Mikael Kamami se kamerat që monitorojnë pjesën e jashtme të DVP janë jashtë funksionit dhe se Martin Musaj mund ta di se te cila dhomë ndodhej Erion Alibej. Sipas shtetasit Arzen Mama, plani ishte që dikush të futej nga mbrapa shkallëve dhe t'i shpjegohet personit ku do vendosë lëndën plasëse.
Mama i tregon Kamamit se po të futesh nga mbrapa nuk ka kamera dhe del direkt tek dhoma. Sipas shtetasit Arzen Mama, për vrasjen e shtetasit Erion Alibej mund të vendosen 100 gramë tritol tek muri i dhomës ku ai qëndron dhe mund ta shpërthejnë. Ndërkohë, shtetasi Mikael Kamami, i propozon shtetasit Arzen Mama që për vrasjen e shtetasit Erion Alibej duhet të vendosin 5 kg tritol.
Gjatë diskutimeve ndërmjet tyre shtetasi Arzen Mama i shpjegon shtetasit Mikael Kamami se 5 kg tritol janë shumë dhe se gjatë shpërthimit mund të vriten shumë polic. Sipas shtetasit Arzen Mama i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë pasi kanë personin që do ti dërgoj ushqim Erion Alibej si dhe në polici kanë edhe Martin Musaj.
Më datë 18.09.2020, Arzen Mama informon shtetasin Mikael Kamami se Erion Alibejn e kanë arrestuar dhe se është në kat të 3-të, veshur me bluzë të zezë. Mikael Kamami e pyet se si mund të vendosin lëndën plasëse. Në vijim të bisedave shtetasi Arzen Mama i tregon Mikael Kamamit se tek dera ku mbahet i ndaluar Erion Alibej po qëndrojnë 2 persona të FNSH.
Më pas, teksa plani vazhdon Martin Musaj i informon këta persona se nuk po e gjente dot se në cilën dhomë ndodhej Erion Alibej, pasi në qeli ndodheshin edhe 4 persona të tjerë të shoqëruar, për të cilët nuk kishte informacion nëse ishin bashkë apo të veçuar.
Kur kanë ndjerë rrezikun e dështimit, Mikael Kamami i ka kërkuar Arzen Mamës që të vendosej tritol në derën e çdo qelie, duke marrë parasysh faktin se mund të vriteshin edhe persona të tjerë të pafajshëm, por kjo nuk prishte punë sepse për ta mjaftonte që të eleminohej Erion Alibej.
Plani dështoi pasi grupi humbi inofrmacionin dhe nuk gjeti dot dhomën e saktë të paraburgimit ku mbahej "Krymi".
© Newsbomb.al