Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

SPAK akuzë të re për ish-drejtorët e Veliajt, pronarët e “5D”

Shkruar nga Newsbomb
SPAK akuzë të re për ish-drejtorët e Veliajt, pronarët
FotoMontazh/ Bashkia Tirane - SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, iu ka komunikuar akuzat disa prej ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të cilët ranë në pranga në kuadër të dosjes “5D”.

Burime për mediat bëjnë me dije se këtë të martë organi më i larë i akuzës në vendin tonë ka marrë të pandehur për veprën penale "mosdeklarim të pasurisë", Mariglen Qaton, Redi Mollën dhe Taulant Tushën.

Kjo akuzë kundrejt ish-zyrtarëve është ngritur për shkak të mosrespektimit të afateve për mosdeklarimin e pasurisë. Ndërkohë, mësohet se SPAK po vijon me hetimet lidhur me aferën “5D”, për mbledhjen e të tjera fakteve dhe provave.

Më herët Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundrejt këtyre personave, Mariglen Qatos, Redi Mollës dhe Taulant Tushës, ngriti akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme zhvilloi më 28 mars një operacion në zyrat e Bahskisë së Tiranë, ku u arrestuan dy drejtorët dhe iu komunikua akuza e re në qeli Taulant Tushës. Gjithashtu, masa e sigurisë iu vendos edhe gjashtë  vartësve të tyre.

Konkretisht, masa “Arrest me burg” u tha për Mariglen Qaton, Redi Mollën dhe Taulant Tushën, ndërsa masa e sigurisë “detyrim paraqitje” u dha për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi.

Drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen se janë pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.

Mirëpo, nga një verifikim i neësbomb.al më herët në databazën e "Open Data Albania" del se kompania është themeluar në vitin 2016 nga shtetasi Eduard Meta, i cili ka qenë 100% pronar i aksioneve të kapitalit. Në vitin 2017, ai ka vendosur të shesë 75% te kuotave në favor të ortakut të ri, Muhamet Petriti kundrejt çmimit 75 lekë.

Një vit më pas, në 2018, Eduard Meta vendosë të shesë dhe pjesën e mbetur të aksioneve, 255 të tyre për 25 lekë. Eduart Meta largohet si ortak i kompanisë dhe Muhamet Petriti bëhet pronar i vetëm në vlerën e 100% të aksioneve.

"Me date 04.03.2021, me ane te kontrates se shitjes se kuotave, Muhamet Petriti shet 100% te kapitalit ne favor te ortakut Nestor Muhametllari kundrejt cmimit 1.000.000 (nje milion) leke.. Pas shitjes se kuotave, Muhamet Petriti largohet si ortak, ndersa Nestor Muhametllari behet ortak i vetem", thuhet në databazë.

Nestor Muhametllari është sot nën masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë.

Pra, biznesmeni i akuzuar zyrtarisht nga SPAK ka blerë për 10 milionë lekë të vjetra ose 1 milionë lekë të reja një kompani që u shit për 100 lekë të reja ose 1 mijë lekë të vjetra. Gjatë këtyre viteve, “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.

Faktet penale të bëra publike më herët nga Prokuroria e Posaçme:

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi R.M. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese