Sot, më 7 prill kujtohet ditëlindja e ikonës së muzikës shqiptare, idhullit të shumë brezave brenda dhe jashtë Shqipërisë, Vaçe Zela.
E lindur më 7 prill të vitit 1939 në Lushnjë, Vaçja është idhulli i shqiptarëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, artistja e njohur për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes.
Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe.
Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur ku numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.
Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare.
Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Diva e muzikës shqiptare ndërroi jetë në 6 shkurt të vitit 2014 duke lënë një boshllëk të madh në muzikën dhe artin shqiptar.
Pëllumb dhe Syrja Zela dy kushërinjtë e Vaçe Zelës, në një rrëfim të bërë për ikonën e skenës shqiptare treguan se çdo mbrëmje Vaçja këndonte dhe i binte kitarës së saj, pa e ditur se shumë shpejt do të bëhej ikona e muzikës shqiptare.
“Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”. Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, ishte dhe mbetet e papërsëritshme.