
"Mjeshtri i Madh" u shua. Prej mëngjesit të së shtunës, kur newsbomb.al raportoi ekskluzivisht se ai kishte pësuar infarkt në tru, mjekët bënë çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë Agim Doçin. Sot, ai u dorëzua dhe e humbi betejën më të rëndësishme.
Kjo ishte hera e dytë që ai pësonte goditje në tru, por ndryshe nga hera e parë, nga sot ai do t'i mungojë familjes dhe gjithë shoqërisë shqiptare që aq shumë e deshi, atë dhe tekstet e tij brilante.
Ashtu siç ndodh kur dikush ikën nga kjo botë, kanë ardhur dhe reagimet e para, nga politika dhe jo vetëm. Është ajo klasë politike që ai e kritikoi dhe e satirizoi fort për gjendjen ku e katandisi vendin, e cila sot shkruan mesazhe ngushëllimi për Agim Doçin.
Është po ajo klasë politike që e harroi sa ishte gjallë "Mjeshtrin e Madh".
Agim Doçi shfaqej jo rrallë në media, por sa ishte gjallë askush nuk kujtohej që t'i lidhte një pension të posaçëm. Qeveria shqiptare vendosi të shpërblente me pension të posaçëm figura të rëndësishme të artit, por dhe të tjerë që u përfolën shumë se nuk kishte asnjë kontribut.
Poeti kollos dhe autori i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar në festivalet shqiptare nuk ishte asgjëkundi. Edhe ai vetë e dinte që nuk do e përfillnin, sepse siç thoshte "nuk e donin sa i donte".
Për ata që e njihnin dhe ishin mësuar me ironinë e tij, ata që kishin në dorë vendimin për t'i lidhur pension të posaçëm Agim Doçit nuk e donin, ndaj dhe ai nuk i donte. Ky është kuptimi i frazës që ai e përdorte sa herë që pyetje se përse ende nuk i kishin lidhur pension.
"Pensionin e posaçëm e akordon kryeministri. Po sa të jetë Edi Rama unë nuk kam për të marrë pension të posaçëm. Se e dua sa më don. Ai nuk më do dhe as unë s'e dua", shprehej poeti tre vite më parë gjatë një dalje televizive.
Fatkeqësisht, këtë të hënë ai mbylli sytë përgjithmonë dhe nuk iu gëzua dot një pensioni të posaçëm, të cilin aq shumë e meritonte për vargjet dhe tekstet aq të ndjera të këngëve që ia la pasuri artit shqiptar. Ishin 50 mijë lekë të reja në muaj që qeveria nuk i gjeti dot për Agim Doçin.
Sikur të mos ishte ai vendim i Presidentit të ndjerë Bujar Nishani 13 vite më parë, për t'i dhënë titullin e lartë "Mjeshtër i Madh", kjo do të ishte një tjetër brengë që ai do ta kishte marrë me vete,
Njeriu që bënte ironi dhe humor me këdo, nuk kursente as veten. Kështu ishte shprehur edhe për titullin që e mori me aq vonesë. Njerëz që kishin interpretuar veprat e tij ishin vlerësuar si "Mjeshtër i Madh" 10 vite para se të kujtoheshin për të.
Agim Doçi iku sot, por brenga e tij kumbon fort për të tjerë artistë që duhet t'i gëzohen një shpërblimi sado modest të këtij shteti, të cilit aq shumë i kanë falur nëpër dekada.
© Newsbomb.al