
Sokol Bardhi është emëruar Drejtor i ri i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke pasuar kështu Elisabeta Furikun, e cila ka drejtuar përkohësisht këtë institucion.
Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Bardhi, i cili është prezantuar në këtë post nga Blerta Rama, zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka pasur më parë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave për inovacionin dhe teknologjinë brenda kësaj ministrie.
"Sokol Bardhi, i cili ka udhëhequr zhvillimin e politikave për inovacionin dhe teknologjinë në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, tashmë merr drejtimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit si Drejtor i Përgjithshëm.
Me një formim të fortë akademik dhe përvojë në transformimin dixhital, ai do të vijojë kontributin e tij në lehtësimin dhe modernizimin e shërbimeve për bizneset në Shqipëri. Z. Bardhi u prezantua në detyrën e re nga Znj. Blerta Rama, Zv/Ministre e MEKI. I urojmë suksese në këtë rrugëtim të ri" shkruan Blendi Gonxhja.