Deshifrimi i bisedave në aplikacionin “Matrix”, nga Europoli pritët që të sjellë një valë arrestimesh si dhe zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale më të bujshme.
Shqiptarët rezulton të kenë qenë përdorues aktivë të këtij aplikacioni. Aplikacioni “Matrix” i bërë nga kriminelët për kriminelët është përmendur më herët edhe nga pentito i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ndërkohë, së fundmi burime për mediat bëjnë me dije se Anti-Mafia italiane ka zbardhur disa biseda ku ka dalë emri i një tjetër shqiptari.
Pikërisht, Ardian Sufaj, një 40-vjeçar i cili u arrestua në Shqipëri për llogari të Italisë, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Në një nga bisedat e deshifruara në këtë aplikacion, Sufaj thotë: “Mund ta jap në dorë … nuk mund ta hapin kurrë … kurrë …duhen 75 vjet për t’i hapur këto dhjetë … Izraelitët janë …100 % të koduar … ata quhen Matrix … kjo është një Matricë …”.
Përdorimi i “Matrix” është zbuluar në një tjetër operacion të Anti-Mafias italiane të zhvilluar në nëntor të vitit 2023
“Korrierët përdornin celularë të enkriptuar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit “Matrix” dhe përdorej për kujdesin për logjistikën dhe lëvizjen e sasive të mëdha të drogës”, thuhej në komunikatë.
Aso kohe, policia italiane sekuestroi 420 kg kokainë, heroinë dhe hashash, teksa përpos arrestimeve në vendin fqinj, në Shqipëri u bë i mundur arrestimi i shtetasve Ardian Korriku, Jurgen Korriku e Etleva Adami.