Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Skemat mashtruese të Micro Credit Albania, Gent Sejko paraqitet nesër në SPAK

Shkruar nga Newsbomb
Skemat mashtruese të Micro Credit Albania, Gent Sejko paraqitet nesër
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko pritet që ditën e nesërme të paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

“Weblajm”, mëson se SPAK i ka dërguar fletëthirrje Sejkos dhe guvernatori do të paraqitet nesër në Prokurorinë e Posaçme.

Pak ditë më parë “Birn”, kishte bërë një shkrim të gjatë ku thuhej se si skema mashtruese e Micro Credit Albania çoi në SPAK, Gent Sejkon.

Pjesë nga shkrimi: 

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania' për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se  infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t'i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai.

Miliona euro në llogaritë e Ibros

Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese