
Pas skandalit të madh që preku bluzat e bardha, ku doli në dritë se si mjekët e Spitalit Onkologjik bënin pazar për jetën e pacientëve të diagnostikuar me kancer, qytetarët janë mbledhur sërish para ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë dhe janë mbledhur para ministrisë duke kërkuar ndëshkimin e mjekëve dhe marrjen e masave që raste të tilla të mos përsëriten më.
Njëzëri ata i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të marrë në dorë këtë skandal dhe të hetojë për rastin.
Po ashtu në protestë është ngritur edhe një herë shqetësimi për mungesën e medikamenteve në spitale, ku pacientët detyrohen të presin në rradhë dhe nuk marrin zgjidhje pasi pajisja e kimio-terapisë me rreze është jashtë funksionit.