
Policia e Sarandës ka nisur procedim penal për tre persona për abuzimet e dyshuara me varrezat e Bashkisë Sarandë.
Blutë bëjnë me dije se dy administratorët Th. M., dhe F. B., të agjensive funerale, procedohen për veprat penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Pushtim i tokës”. Ndërsa R. S., ish-Drejtor i Shërbimeve Publike, procedohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Emisioni Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e së mërkurës pazaret që bëhen për një varr në Sarandë. Dy agjenci funerale që operojnë në këtë qytet hapin dhe rezervojnë varre pa pasur morte, gjithçka kundrejt një shume të konsiderueshme parash që varion nga 75 mijë lekë deri në miliona lekë.
Sipas policisë, kjo ngre dyshime për veprime të kundërligjshme dhe mosveprime nga ana e punonjësve të Bashkisë Sarandë.
Njoftimi:
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e datës 15 janar 2025, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për abuzimet e dyshuara me varrezat e Bashkisë Sarandë, ju informojmë se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Sarandë kanë referuar materialet procedurale në Prokurori për shtetasit:
• Th. M., 38 vjeç, dhe F. B., 65 vjeçe, banues në Sarandë, administratorë të dy aktiviteteve tregtare (agjensi funerale), për veprat penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Pushtim i tokës”;
• R. S., 51 vjeç, banues në Sarandë, ish-drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Procedimi penal për këta shtetas nisi pas publikimit të një videoje në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku trajtoheshin raste të abuzimeve në ofrimin e varrezave publike, duke ngritur dyshime për veprime të kundërligjshme dhe mosveprime nga ana e punonjësve të Bashkisë Sarandë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falenderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.