
Një tjetër vatër e prekur nga gripi i shpendëve është raportuar së fundmi në vendin tonë. Burime për mediat bëjnë me dije se në fshatin Valare të Gjirokastrës është regjistruar rasti i parë i gripit të shpendëve, pas një dekade pa praninë e këtij infeksioni në këtë qark.
Autoritetet kanë konfirmuar se rreth 20 pula oborri janë asgjësuar me qëllim për të përandaluar përhapjen e këtij infeksioni. Ndërkohë, nga ana tjetër Drejtoria Rajonale e Bujqësisë ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, duke dezinfektuar të gjithë zonën përreth.
Deri më tani përpos kësaj vatre, nuk është raportuar ndonjë vatër tjetër infektimi në Gjirokastër apo dhe në fshatrat e tjera përreth.
Specialistët i kanë bërë thirrje qytetarëve që të jetë vigjilent dhe duhet të njoftojnë menjëherë veterinerët në rast se vërejnë shenja të infeksionit të shpendëve.
Më 10 janar të 2025 Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural doli me një deklaratë zyrtare në lidhje me përhapjen e gripit të shpendëve në vendin tonë duka na pasqyruar një tablo më të saktë lidhur me atë që po ndodh në Shqipëri.
Ministria deklaroi se në vendin tonë ishin aktive 4 vatra, kryesisht në Nartë, Zall Herr, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastës.
“Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e bërë ditë më parë nga ministria.
Përpos pasqyrimit të situatës, ministria u bëri thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të rrisin viligjencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të çdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë.