Pas dy muajsh punë në një resort turistik buzë detit Jon në Orikum, Ochen*, një estetiste 30-vjeçare nga Kampala e Ugandës, e konsideron këtë si përvojën e saj më të keqe të punës. E kthyer prej tre muajsh në vendlindje, ajo është ende e irrituar me atë që i ndodhi këtë verë në Shqipëri.
“Jeta aty ishte si në burg, ishim si në burg,” i tha BIRN përmes telefonit Ochen, emër i ndryshuar me kërkesën e saj për ta kursyer nga problemet në vendin e origjinës.
“Nuk kishim as karta identiteti, as leje pune dhe as pasaportë, pasi t’i mbajnë dhe nuk mund të lëviznim”, shtoi ajo me zemërim.
Ochen është vetëm një nga qindra punëtorët e huaj nga kontinenti afrikan që mbërritën këtë verë në Shqipëri për të plotësuar nevojën për krah të lirë pune të shkaktuar nga emigracioni vendas, veçanërisht në sektorin në lulëzim të turizmit.
Ndonëse iu premtua kontratë 1-vjeçare pune dhe pagë më e lartë se në shtëpi, Ochen thotë se u detyrua të kthehej mbrapsht e zhytur në borxhe, ‘për shkak të kufizimit të lirisë dhe diskriminimit’. Përvoja e saj në tregun shqiptar të punës nuk është e izoluar.
BIRN intervistoi një grup punëtorësh të huaj nga Uganda dhe Nigeria, të cilët u ankuan gjithashtu për kufizim të paligjshëm të lirisë, shfrytëzim me orë të zgjatura dhe të papaguara pune si dhe për diskriminim nga sipërmarrësit shqiptarë.
Punëtorët nga vendet e Afrikës paguajnë vlera që variojnë nga 1200 – 2000 euro për llogari të agjencive të punësimit në këmbim të kontratave 1-vjeçare të punës dhe lejeve të qëndrimit. Por disa prej tyre i thanë BIRN se ishin dëbuar nga vendi padrejtësisht, ndërsa të tjerë jetojnë me frikën e ndërprerjes së kontratave dhe rrezikun e dëbimit pas përfundimit të sezonit turistik.
Pa asnjë mbështetje në Shqipëri, punëtorët nga Afrika janë përplasur për ndihmë në dyert e Kishës Shpëtimtare në Tiranë që drejtohet nga pastori nigerian, Prince C.Mazie, i cili jeton prej 16 vitesh në kryeqytet.
“Kam dhjetra mesazhe nga punëtorë nga Afrika, India dhe vende të tjera që ankohen për diskriminim, kufizim të lirive dhe që kërcënohen vazhdimit se do i kthejnë pas në vendet e origjinës, pasi kompania ka mbyllur sezonin,” tha Mazie për BIRN në një kafene pranë Pazarit të Ri në qendër të Tiranës.
“Kjo është johumane. Nëse ke një kontratë për një vit, të paktën respekto atë kontratë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se shkelja e kontratave po i vendoste punëtorët e huaj nga Afrika në rrezik.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Sigurimeve Shoqërore e konsideron mbajtjen e pasaportave të punëtorëve të huaj nga punëdhënësit si vepër penale të ngjashme me “marrjen peng” apo “heqjen e paligjshme të lirisë”, por drejtues të tij mohuan që të kishin marrë denoncime për raste të tilla. Zyrtarët pranuan disa shkelje të Kodit të Punës, si puna me orë të zgjatura dhe të papaguara, por theksuan se e njëjta gjë ndodh edhe me punëtorët shqiptarë.
“Një punëdhënës korrekt është korrekt me të dyja palët dhe dikush që mban punëtorë shqiptarë në të zezë, e bën këtë edhe me të huajt,” tha Irida Qosja, zv.drejtuese e Inspektoriatit të Punës./ BIRN