Gjykata e Lartë ka mirëpritur dje në ambientet e veta një grup studentësh të “Elitës Studentore” të Fakultetit Juridik, studentë që duhet të njiheshin me praktikën dhe punën në këtë gjykatë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të gjykatës së lartë, studentët, patën mundësinë të ulen në një sallë gjyqi të kësaj gjykate. Improvizimi i një seance gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku studentët u ndanë në rolin e gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe palës së mbrojtur, ishte një prej risive të vizitës së studentëve në ambientet e Gjykatës.
“Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor, është një mekanizëm i cili synon të afrojë më shumë çdo të interesuar për t'u njohur me këtë institucion, historinë dhe rëndësinë që mbart” thuhet në njoftimin për median.
“Ora e hapur” u zhvillua në një diskutim me gjyqtarin që ushtron detyrën e ndihmës magjistratit në këtë gjykatë, Elton Frashëri dhe juristin e qendrës së Dokumentacionit Oltion Musaj. Këta të fundit u folën studentëve për historinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit, ndarjen e pushteteve, ndryshimet ligjore dhe veçanërisht në organizimin dhe funksionimin e gjykatës së Lartë.