
Fatri Shehu, artizani duarartë i jugut nuk jeton më. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 56 vjeçare, pas një betejë me kancerin që fatkeqësisht nuk e fitoi dot, shkruan newsbomb.al.
Familja ka njoftuar mes dhimbjes ikjen e padrejtë dhe të parakohshme të Tirit, siç e thërrisnin dhe e njihnin të gjithë artizanin duarartë të Tepelenës.
Fatri Shehu dhe bashkëshortja e tij, Mimoza ishin shumë të njohur në Tepelenë dhe gjithë zonën e jugut, pasi krijonin me dorë kostumet dhe veshjet e tjera tradicionale të jugut. Grupet polifonike të Tepelenës dhe me gjerë janë ngjitur në skenë me kostumet e prodhuara nga duart e Tirit.

Familja Shehu zotëron një biznes dhe punishte të vogël ku punoni krejtësisht me dorë kostumet popullore të jugut, për grupet e folklorit dhe jo vetëm.
Tiri dhe bashkëshortja e tij kanë krijuar edhe kostumin që mbante veshur poeti i madh anglez Xhorxh Bajroni, më shumë se dy shekuj më parë kur vizitoi Shqipërinë dhe si vendqëndrim kryesor zgjodhi Tepelenën.
Çifti e punoi për shumë kohë me dorë kostumin dhe ai u vesh nga aktori i madh i Hollivudit, anglezi Rupert Everett, i cili pati fatin të realizonte udhëtimin e dytë Lord Byron në Tepelenën e Ali Pashait.

Fatkeqësisht, Tiri nuk do të jetë më pranë familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e donin dhe e vlerësonin punën e tij, artizanatin, të cilit ai i dedikoi jetën dhe e ushtroi me pasion të pashoq për të lënë trashëgimi të bukurën dhe traditën e trevave të jugut.
© Newsbomb.al