Gjykata e Apelit ka shtyrë sërish seancën gjyqësore ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili akuzohet për “shpifje” lidhur me çështjen “Babale”.
Gazetari Jetmir Olldashi, i cili është dhe i bashkëpandehur me Salianjin, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Iliba Becati nga trupa gjykuese. Avokati i dy të pandehurve, Olldashit dhe Salianjit, kërkoi përjashtimin e gjyqtares, pasi gazetari ka bërë shkrim për të.
Pritet që seanca e radhës të mbahet në datën 24 prill në orën 10:00. Deputeti Ervin Salianji në këtë seancë u shoqërua nga kolegët demokratë, Ina Zhupa, Agron Gjekmarkaj, Luan Baçi, Saimir Korreshi e disa të tjerë.
Gjatë fjalës së tij, jashtë ambienteve të Gjykatës, deputeti tha se i ka provat për të faktuar krimet e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Është një çështje që ka ardhur në apel ashtu si në shkallën e parë si kallëzim i trafikantit të drogës Agron Xhafaj, denoncim që pavarëisht se prokuroria ka detyrën bashkë me atë që ka bërë kallëzimin që të vërtetojë fajësinë, paraprakisht do t’ju them se kemi prova shkencore të ngarkesës së provës, do të nxjerr fakte se si është 100 përqind e vërtetë i gjithë denoncimi dhe se si institucionet e shtetit shqiptar kanë shmangur hetimin për trafikun e drogës ndaj vetë ministrit dhe Geron Xhafës në bazë të antimafias përt t’i bërë të mundur të vazhdojë karrierën politike.
Do të kemi gjithë kohën e mjaftueshme dhe detajet në seancën e datës 24. Nuk jam marrë asnjëherë në sulme personale ndaj gjykatës apo gjyqtarëve pavarësisht se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë marrë vendimmarrje në gjykatën e shkallës së parë janë shkarkuar nga vettingu. Gjyqtari që ka marrë vendimin e shkallës së parë Artan Gjermeni është në përgjimet e Italisë që ishte shërbëtor i fëlliqur dhe i pjesës tjetër të bandës së Lushnjes që quhej i vogli. Është rasti i parë që një deputet gjykohet nga një gjykatë e juridiksionit të përgjithshëm dhe jo nga SPAK për shkak se është një situatë surreale”, tha Salianji
Vite më parë, Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i cili rezultoi i dënuar me 7 vite në Itali dhe prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një tjetër video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brëndshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Agron Xhafajt, vëllait të Fatmirit ku Salianji akuzohet për “shpifje”
Në Gjykatën e Shkallës së Parë Salianji u dënua për këtë vepër penale me 1 vit burg. Nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, atëherë Ervin Salianji shkon në burg dhe prangoset në sallën e gjyqit, duke humbur kështu dhe mandatin e deputetit.