
Rezultatet kryesore të Censit të kryer në vitin 2023 do të publikohen më 28 qershor. Më herët ishte njoftuar se të dhënat do të publikoheshin më 19 qershor, por duket se ende nuk janë gati databazat me të dhënat e detajuara të mbledhura nga Censi deri në nivel bashkie.
Ishte drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli e cila tha se të dhënat mbi demografinë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë në vend, do të publikohen në datën 28 qershor.
“Menjëherë pas publikimit në qershor, puna nuk do të ndërpritet, do të vijojë publikimi i treguesve në nivel bashkie, në tetor do të kemi të prezantuara të gjitha rezultatet e detajuara, së bashku me një platformë në faqen e INSTAT”, - tha drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli.
Njoftimi u bë gjatë raportimit për aktivitetin vjetor të INSTAT ku Dhuli konfirmoi edhe njëherë se hakerimi nuk preku të dhënat e mbledhura për Cens ndërsa nuk ka një shpjegim se përse u shty publikimi i të dhënave. Drejtuesja e INSTAt tha vetëm se ka vende që i publikojnë edhe pas 6 muajsh të dhënat.
Kujtojmë se cëni i popullsisë shqiptare nisi më 18 shtator 2023 dhe duhet të përfundonte në 30 tetor, por u shty me dy javë duke u përmbyllur në 15 nëntor 2023. Shtyrja u bë pasi sipas INSTAt rreth 3% e zonave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ende nuk ishin numëruar.
Por skepticizëm mbi të dhenat e sakta të censit pati nga ana e opozitës ku deputeti Edmond Spaho tha se publikimi i të dhënave po shtyhet pasi numri i shqiptarëve është nën 1.7 milionë.
“Pse është shtyrë publikimi i censusit? Ka pretendime që numri i shqiptarëve që jetojnë këtu është nën 1.7 milionë dhe kjo është arsyeja që është shtyrë censusi. Herë të tjera censusi është zhvilluar me anketime fizike dhe këtë radhë është online, supozohej të kryhej në një kohë rekord. Të paktën për numrin e popullsisë”, - tha deputeti Edmond Spaho.