Shtëpitë në katet e para dhe bizneset në lagje të caktuar atë Vlorës janë ende të mbushura me ujë dhe baltë. Situata është e vështirë edhe pasi nata ka kaluar dhe reshjet kanë ndaluar, për shkak se sistemi i kanalizimeve ka dështuar përballë prurjeve masive.
Autoritetet kanë dalë në terren prej pasdites së djeshme, por situata mbetet e vështirë, pasi reshjet kanë qenë intensive rrugët janë kthyer në lumenj.
33 familje me në total 55 persona janë evakuuar nga forcat zjarrfikëse dhe ekipet e Bashkisë së Vlorës, për shkak se uji ka vërshuar në shtëpitë e tyre. Disa, janë persona me aftësi të kufizuara që nuk kanë pasur mundësi të reagojnë ndaj situatës.
E rënduar është situata edhe në garazhet e pallateve pothuajse në pjesën më të madhe të qytetit bregdetar, pasi energjia elektrike është stakuar dhe pompat kanë dalë jashtë funksionit, duke bërë që katet nëntokë të përmbyteshin.
Sipas raportimeve të para, edhe pompat e hidrovoreve janë vënë në punë me 30 minuta me vonesë, për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike.
Megjithatë, sapo situata të përmirësohet, kryebashkiaku Ermal Dredha ka paralajmëruar se do të nisë vlerësimi i dëmeve, si dhe do të analizohen të gjitha shkaqet që kanë çuar në këtë situatë të pa parë prej shumë kohësh në Vlorë. Dëmet janë të mëdha.
Shtëpitë në katet e para, bizneset, garazhet e mjeteve në katet zero dhe minus të pallateve janë mbushur me ujë dhe baltë. Po ashtu, edhe shumë rrugë të Vlorës janë të mbuluara nga balta dhe kjo e ndikuar dhe nga çarja e argjinaturës së ujërave të larta.
© Newsbomb.al