Një zjarr i madh përfshiu një banesë në lagjen nr.14 në Korçë. Zjarri ka rënë në banesën e shtetasit Andrea Lako, i cili jeton i vetëm, ndërsa dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndije elektrike.
Pasi i moshuari u dërgua menjhërë në spital, u nxorën jashtë pallatit edhe banorët e tjerë, por një grua e moshuar u transportua në spital gjithashtu për shkak të problemeve me frymëmarrjen, të shkaktuara nga tymi i dendur.
Pas ngjarjes, një banor i pallatit ka treguar se i moshuari, Andrea Lako është një njeri që ka mbetur pa mbështetje, ndërsa ata janë përpjekur ta ndihmojnë sa kanë mundur me ushqim dhe ndihma të tjera.
“Ne këtu e morëm vesh, ishim në shtëpi, kur dolëm jashtë, “zjarr, zjarr!” Morëm zjarrfikësen në telefon dhe e pyetëm zotin e shtëpisë se si ishte puna. Ai tha: “Dola nga shtëpia për të shkuar të marr bukë, dhe kur u ktheva, pashë zjarr.” Dolën të gjithë, erdhi dhe zjarrfikësja… Ne u frikësuam se ishte gjithë tym dhe zjarr. Mezi nxorëm plakën. Ai është i vetmuar, gjynah, dy fëmijët i ka në burg, dy djem, dalin e fshihen rrugëve. Çfarë do bëjë ai me 200 mijë lekë tani? Mbeti fare, ne e ndihmonim, ndonjë drekë a çfarë të mundnim. Ai është kot, gjynah, ku e gjeti ne ai?! Është njeri pa njeri…”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor ka treguar mbi gjendjen e keqe që është pallati i vjetër ku jetojnë. Ai tregon se problemi me instalimet elektrike të pallatit është i njohur dhe ka shqetësuar të gjithë ata që jetojnë aty, pasi janë të vjetra. Ai kërkoi me ngulm që shteti të ndërhyjë për të ndihmuar Andrea Lakon.
“Ne e morëm vesh që kishte rënë zjarr tek një shoku ynë. Ky është njeri pa njeri, fëmijët i ka jashtë, pa grua është, i vetmuar. Kur morëm vesh, erdhi zjarrfikësja, tym… Thonë që shkëndija elektrike shkaktoi zjarrin, sepse këta janë pallate që në kohën e Enver Hoxhës, që në vitin 1972, dhe telat janë të vdekur. U friksuan të gjithë. Erdhi ambulanca dhe mori një zonjë këtu, e çuan në spital sepse u mbyt nga tymi, një pallat i tërë. Ne dolëm të gjithë jashtë, i lutemi qeverisë të ndihmojë zotërinë se është i vetmuar”, tha ai.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, i cili ka inspektuar situatën. Zjarrfikësit dhe shërbimi i emergjencës janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendngjarje për të shuar flakët.