
Dy shqiptar janë dënuar dje, 15 janar, nga një Gjykatë angleze pasi janë arrestuar më 20 nëntor 2024.
Arsyeja e arrestimit është se të dy këta shtetas kishin ngritur dy ferma kanabisi në Wirral të Liverpool-it në të cilat u gjetën dhe sekuestruan 224 bimë lëndë narkotike. Sipas mediave të huaja mësohet se dy të rinjtë shqiptarë, Danjel Markaj dhe Pjetri Ferdinant, janë shpallur fajtorë për prodhimin e një droge te klasit B (kanabis).
Ndërsa janë dënuar nga Gjykata e Kurorës së Liverpool-it, shtetasi Danjel Markaj, 25 vjeç është dënuar me 12 muaj burgim , ndërkohë personi tjetër i quajtur Pjetri Ferdinant, 23 vjeç me 15 muaj burgim.
Lidhur me arrestimin e dy shqiptarëve ka folur edhe detektivi Andrë Schofield, i cili tha se goditja e këtyre rasteve është bërë dhe falë denoncimeve të qytetarëve të cilët jetojnë përreth zonave ku dhe zhvillohet ky aktivitet kriminal.
Ndër të tjera, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse konstatojnë shenja të cilat tregojnë se në zonën ku jetojnë po kultivohet kanabis atëhere menjëherë të lajmërojnë autoritetet.
“Fermat e kanabisit në zonat e banuara jo vetëm që shkaktojnë shqetësim për fqinjët duke tërhequr sjellje antisociale, por ato përbëjnë një rrezik real për ta. Operatorët e fermave të kanabisit prishin instalimet elektrike dhe prizat e mbingarkesës, duke sjellë një rrezik shumë real për ndezjen e zjarreve dhe duke treguar një shpërfillje të plotë për sigurinë e banorëve që jetojnë afër.
Askush nuk dëshiron të jetojë pranë një kurthi të mundshëm vdekjeje si ky, dhe shpesh falë njerëzve që jetojnë në zonat e prekura që na tregojnë për dyshimet e tyre dhe proaktivitetin e oficerëve tanë, ne jemi në gjendje të ndërmarrim veprime.
Nëse vëreni ndonjë shenjë që tregon se kanabisi po rritet pranë vendit ku jetoni dhe punoni, ju lutemi na njoftoni në mënyrë që të vazhdojmë të ndërmarrim veprime. Çdo informacion ndihmon banorët dhe punën që bëjmë, ndaj na informoni dhe ne do të hetojmë”, mësohet të ketë thënë ai.