Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shqipja ulet  këmbëkryq mes elbasanllinjve të Athinës

Shkruar nga Newsbomb
Shqipja ulet  këmbëkryq mes elbasanllinjve të Athinës
FotoMontazh/ Revista Newsbomb

Nga Athina, Engjëll Serjani

I shin mësuar të ndjeheshin të vetmuar, të shtypur nga pasionet e paplotësuara, disi të vrenjtur krenarisht kombëtarisht se nuk e kishin gjetur rrugën e flamurit në jetën që bënin, shpeshherë edhe të heshtur e të pazëshëm se e dinin se nuk mund të flisnin fort. Kishin një lloj brerje ndërgjegjeje, e, takimi i Edi Ramës u plotësoi fatin dhe u fashiti ndjenjën e fajit për fjalët e pathëna e zërin e padëgjuar. Po ja që e vërteta arriti të bjerë në sy kur erdhi kjo ndodhi e jashtme.

Pa u çelur akoma Qendra Kulturore Shqiptare në Greqi, të parët që morën guximin të shfaqen ishin elbasanllinjtë. Bashkia Elbasan, shoqata e shqiptarëve të Greqisë, “Elbasani” dhe shoqata shqiptare “RessEgnatia” rikthyen entuziazmin mes shqiptarësh, që për nga masiviteti, nuk i ngjante atij të takimit të kryeministrit në Athinë; por për nga zhurma dhe kënga e buçima, ia kaloi edhe asaj. Udhëtimi drejt Greqisë ngjan gjithmonë si me një udhëtim real drejt lashtësisë e historisë, por edhe drejt së tashmes. Në mes një pjese të mirë të stafit të bashkisë Elbasan, ky udhëtim edhe për mua mori kuptimin e një misioni të lartë dhe fisnik, që njeriu mund të bëjë rrallë në jetën e tij. Simbolika ishte e qartë dhe tepër emocionuese.

Bashkia e Elbasanit zgjodhi që në kuadrin e “Vitit të Normales”, shpallur prej saj në 115 vjetorin e çeljes së Normales së Elbasanit në 1 dhjetor 1909, ta përkujtonte e festonte bashkë me prindërit emigrantë dhe fëmijët e tyre që mësojnë shqip në Athinë. Udhëtova drejt Athinës nga Gjirokastra. Shkolla Normale, ishte lulja e parë e fidanishtes së mësuesisë shqiptare, ishte e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe në të gjithë Shqipërinë. Kjo lule e bukur e diturisë, u çel në zemër të Shqipërisë, në Elbasanin e bukur. “Normalja e Elbasanit, - më thotë bashkëudhëtari ynë Petrit Hodaj,- në një farë mënyre identifikon edhe vetë qytetin, kur shpesh përmenden dy anët e këtij binomi, Normalja e Elbasanit, apo Elbasani i Normales”. Normalja i dha emër, e rriti dhe e rinoi Elbasanin.

 Ndërsa Elbasani, vazhdon me tej këtë ide violinisti virtuoz elbasanas Zeqir Sulkuqi, e zgjatoi më tej ndër vite famën dhe misionin e kësaj shkolle me themelimin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Gjatë këtij udhëtimi në mendje e në shpirt më mbetën fjalët e drejtorit të parë, Luigj Gurakuqit që i tha në atë mëngjes të ftohtë dhjetori të çeljes së Normales, që i sjell në bisëdë Mustafa Katzadej, pedagog në Departamentin e Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”: “Një diell i ri po lind sot në Elbasan, prej këtej do të përhapen rrezet e dritës dhe diturisë mbi gjithë Shqipërinë”.

EMIGRANTËT, NISMËTARËT E PARË PËR GJUHËN SHQIPE

Organizatat dhe shoqatat kulturore të emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë nisur të luajnë një rol të rëndësishëm me iniciativat e tyre për të hapur kurse dhe shkolla për mësimin e shqipes nga fëmijët e tyre të lindur në Greqi. Ardian Daullja, kryetar i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Greqi, na thotë se, për rreth 35 vjet janë bërë përpjekje për të gjetur mundësi që fëmijët tanë të mësojnë shqip. “Kemi 17 vjet që kemi filluar t’i ngremë vetë këto si kurse mësimi dhe tani ka ardhur momenti që ne të kemi shkollat tona legale me programe të miratuara”, thotë ai. Vetë kryetari i bashkisë së Elbasanit, zoti Gledian Llatja i vlerësoi lart përpjekjet e tyre në konferencën shkencore “Kujtesë për Vazhdimësi” që u mbajt kushtuar 115-vjetorit të Shkollës Normale të Elbasanit, në një nga auditorët e Universitetit “New York College”. Entela Abazi, gazetare dhe drejtuese emisionesh që moderoi konferencën qysh në fillim falenderon emigrantët të cilët ishin të parët që u kujdesën për mësimin e shqipes nga bijtë dhe bijat e tyre.

“Janë përpjekjet e mëdha të shoqatës së emigrantëve “Elbasani” për të mësuar shqip, që na sollën sot në Athinë për të përkujtur këtu 115 vjetorin e Normales. Shoqata ka siguruar dokumentacionin ligjor për hapjen e këtyre kurseve dhe shkollave në gjuhën shqipe. Ka një simbolikë të madhe mes Normales të çelur në Elbasan një shekull e ca më parë dhe Mësonjëtores së re “Kostandin Kristoforidhi” që çel dyert sot këtu në mes të Athinës, ku fëmijët e emigrantëve kanë nisur të mësojnë kulturën dhe gjuhën e tyre amtare shqipe”, nënvizon kryebashkiaku Gledian Llatja.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e tridhjetekatër të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot (27 Qershor) dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese