Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia pa drita! Komisioni Evropian nis hetim ndërkombëtar për incidentin

Shkruar nga Newsbomb
Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia pa drita! Komisioni Evropian nis
Pamjee ajrore nga Tirane/ Newsbomb.al

Komisioni Europian ka njoftuar se do të nisë hetim ndërkombëtar për incidentin e djeshëm të ndërprerjes së energjisë elektrike në Shqipëri, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.

Në një njoftim të publikuar nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) thuhet se për këtë ngjarje aktualisht janë duke u mbledhur të dhëna teknike nga OST-të e prekura, për të nisur pastaj një hetim të detajuar në javët vijuese për të përcaktuar shkakun e vërtetë të incidentit të djeshëm në rrjet në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale.

Më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.

ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.

Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”,- thuhet në njoftimin e ENTSO.

Në një deklaratë për media të dhënë më herët, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se incidenti i raportuar në rrjet ndodhi për shkak se linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë pati një defekt, i cili rezultoi në shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Sipas saj, e njëjta situatë ndodhi edhe në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë si dhe pjesërisht në Kroaci.

Balluku shtoi gjithashtu se edhe pse defekti u vendos nën kontroll duke bërë të mundur kthimin e energjisë elektrike në vend, duhet thënë se vazhdojmë të jemi akoma pjesë e zonës së rrezikshmërisë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente, si dhe të ndikuara edhe nga rritja e temperaturave.

"Pavarësisht se tashmë i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike, duhet thënë se vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim.

Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe sigurisht do të vazhdojmë që të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurt,"- tha ministrja Balluku.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor patën shkëputje të energjisë elektrike për rreth 20 minuta në orën 12:20 të drekës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese