
Situata e gripit sezonal në vendin tonë paraqitet e rënduar, duke shtuar fluksin në spitale dhe qendra shëndetësore. Në kushte të tilla, Ministria e Shëndetësisë ka dalë me njoftimin e rëndësishëm dhe apelon që të bëhet vaksina kundër virozave respiratore të shkaktuara nga virusi i gripit. Bëhet me dije se vaksina është falas dhe po kryhet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për grupet e rrezikuara.
Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino ka konfirmuar se Shqipëria është në sezonin e gripit. Bino ka shtuar se ky është një sezon normal gripi dhe trendi i infeksioneve respiratore është i njëjtë me vitin që shkoi. Bino ka theksuar se nuk kemi një grip me forma më të rënda, por megjithatë, apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm.
“Shqipëria është në sezonin e gripit ashtu si të gjitha rajonet e Evropës dhe hemisferës veriore. Ky është një sezon normal gripi, trendi i infeksioneve respiratore dhe i gripit është i njëjtë me vitin që shkoi, shtrimet në spitale janë të njëjta me vitin që shkoi, pra nuk kemi një grip me forma më të rënda, duke qenë që jemi ne sezon gripi duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Bino.
Sa i përket vaksinimit, Bino thotë se janë përdorur rreth 75% e vaksinave të shpërndara, teksa janë vaksinuar rreth 30% e personave mbi 65-vjeç. Ndërkohë, këshillon të gjithë ata që vuajnë nga diabeti, sëmundje kardiovaskulare apo sëmundje kronike të veshkave, të vaksinohen për gripin sa janë në kohë.