Ekipi i Forcave "Shqiponja" të Tiranës ishte atë paradite qershori në shërbim si çdo ditë tjetër. Alarmi për një rast zjarri në katin e pestë të një pallati në zonën e "Myslym Shyrit", shumë pranë Drejtorisë së Tiranës ku kanë repartin, bëri që efektivët të "fluturonin" drejt vendngjarjes, edhe para zjarrfikëses.
Siç ka raportuar ekskluzivisht newsbomb.al tre vite më parë, edhe përmes një video ekskluzive që zuri vend në ballinën e mediave kryesore në Shqipëri, komandantja e grupit Amarilda Shabani vlerësoi rrezikshmërinë e rastit në kohë rekord dhe bashkë me djemtë e skuadrës u ngjitën në katin e pestë.
Banorët e pallatit u kishin thënë se në apartamentin e mbyllur jetonte e vetme një zonjë e moshuar dhe zjarri mund t'i merrte jetën.
Në këto kushte, komandantja dhe djemtë e grupit të "Shqiponjave" shkelmuan derën e apartamentit në katin e pestë, ku gjetën pa ndjenja por ende me shenja jete zonjën e moshuar. Skuadra kishte mbërritur atje në kohë rekord dhe nuk mund të priste ndërhyrjen e zjarrfikëses dhe ekipit mjekësor, ndaj "Shqiponjat" e morën në krah për pesë kate.
Kur ata zbritën në rrugë, ambulanca sapo kishte ardhur dhe ato minuta ishin vendimtare për jetën e zonjës që ishte asfiksuar brenda apartamentit që kishte marrë flakë. Menjëherë djemtë e "Shqiponjave" u riorganizuan dhe hapën rrugën që ambulanca të mbërrinte në kohë në spital.
Zonja e moshuar u mbajt në jetë falë kujdesit intensiv të mantelbardhëve dhe ndërhyrjes së skuadrës nën drejtimin e komandantes Amarilda Shabani.
Raste të ngjashme janë të shpeshta për ekipet e Forcës së Posaçme, por pasqyrimi i pamjeve në media bëri bujë të madhe, duke i treguar publikut për guximin dhe profesionalizmin e lartë të atyre djemve nën uniformë që vepruan për të shpëtuar një qytetare në nevojë, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej mes flakëve.
Sot, komandantja e atij grupi ka shprehur dëshirën për të shkuar më lart në karrierë, për të marrë drejtimin e një prej komisariateve të vendit. Disiplina dhe profesionalizmi i lartë që e ka kalitur gjatë viteve të drejtimit të një prej grupeve të "Shqiponjave" të Tiranës, e kanë shtyrë Amarilda Shabanin të besojë në garën për drejtuesit e rinj.
Ajo mban gradën "Komisar" dhe në listën publike të shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, renditet në vendin e 34-rt, mes 290 kandidatëve.