Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin nga detyra të prokurores së Kukësit, Rita Gjati.
Megjithëse disa prej konkluzioneve të Komisionit nuk janë konstatuar të pabazuara, Kolegji konkludoi se Gjati rezulton të ketë kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe figurës. Ndërkohë, problemet në aspektin profesional nuk u gjetën penalizuese.
Gjati nuk ishte e pranishme këtë të mërkurë në seancën e shpalljes së vendimit në KPA. Kujtojmë se më 19 mars 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkarkoi nga detyra e prokurores së Kukësit, Rita Gjatin, pas problemeve me të treja kriteret.
Gjati u shpall e shkarkuar vite më parë pas një seance dëgjimore, të cilën e braktisi pasi kërkesa e avokatit të saj për shtyrje nuk u mor parasysh. Relatimi gjatë seancës dëgjimore zbuloi probleme me të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Trupa gjykuese për Gjatin aso kohe përbëhej nga Alma Faskaj, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo. Në seancën paraprake, ajo shpërtheu në lot dhe braktisi sallën kur trupa e vettingut konstatoi probleme me pasurinë dhe kontaktet me një trafikant droge.