
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët ka bërë me dije se qeveria do të mblidhet këtë të hënë ku dhe do të firmosë për shpërblimin e fundvitit për një pjesë të administratës.
Sipas kreut të qeverisë ky shpërblim do të shkojë për mësuesit, mjekët e infermierët, punonjësit e Policisë dhe ushtarakët, zjarrfikësit, si dhe punonjësit e burgjeve.
“Mbështetja e vazhdueshme e administratës është kyçe. Kam parasysh mësuesit, mjekët e infermierët, punonjësit e policisë dhe ushtarakët, zjarrfikësit dhe punonjësit e burgjeve për të cilët një vendim I ri do të dalë sot në mbledhjen e qeverisë”, tha Rama.
Theksojmë se katër ditë më parë ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu dha lajmin e mirë për 275 mijë familje shqiptare.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja bëri me dije se u miratua një fond prej 2.1 miliardë lekësh i cili shkoi si shpërblim për familjet dhe individët që përfitojnë nga skemat e programit social. Konkretisht bëhet fjalë për një shumë prej 15 mijë lekë të reja.
“Sot kam kënaqësinë të njoftoj një lajm të gëzuar për të gjithë familjet e individët që përfitojnë nga skema dhe programi i mbrojtjes sociale. Me vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social.
Janë pikërisht 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema ekonomike, fëmijët që nuk kanë kujdes prindëror, invalid që kanë statusin e tetraplegjikut ose paraplegjik, ata që kanë statusin e të verbrit, për herë të parë marrin shpërblimin e fundvitit dhe ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar, janë 18 mijë kujdestarë.
Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit, afro 2.1 miliardë lekë, apo ajo që është më e rëndësishmja për tu theksuar vlen që të shkojë këtu për të gjithë familjet dhe e të gjithë shoqërisë. Urojmë festa të gëzuara për të gjithë”, tha ministrja më 26 dhjetor.
Më herët shpërblim morën edhe punonjësit e administratës me paga të ulëta, ku u përfshinë shoferët, sanitaret, punonjësit e arkivit protokollit, etj.
Në këtë fundvit qeveria hapi “thesin” edhe për pensionistëve. 511,173 pensionistë me pension deri 20,000 lekë morën këtë fundvit bonusin 15,000 Lekë, dhe 213,760 pensionistë me pensione mbi 20,000 lekë përfituan bonusin prej 10,000 Lekë.