Filip Talo, një shtetas shqiptaro-amerikan është thirrur në Prokurorinë e Tiranës. Ai është lakuar shumë gjatë dy viteve të fundit në media, pasi rezulton se ka qenë shok klase me ish-presidentin Ilir Meta, kur të dy ndiqnin Fakultetin e Ekonomisë në kryeqytet.
Dy vite më parë, Filip Talo paraqiti kërkesë te Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për të pasur akses në dosjen me 140 faqe për të dhe ish-shokun e dhomës me iniciale I.M, i cili siç u raportua më vonë politikisht dhe mediatikisht, ishte Ilir Meta.
Këtë të hënë, datë 20 Maj 2024 ky shtetas është thirrur të paraqitet pranë organit të akuzës në kryeqytet për të dhënë shpjegime në orën 10.30.
“Iu qëndroj pretendimeve që kam bërë dhe nuk dua të shqetësohet me familja ime”, mësohet të ketë deklaruar Talo, i cili u pyet për kallëzimin e Metës kundër autoritetit të Dosjeve.
Duke u ndalur të rasti në fjalë ai tha se; “për rastin konkret kam dhënë shpjegime para Autoritetit të Dosjeve dhe ambasadës dhe s’dua të shqetësohem me për këtë çështje”.
Ai i rrëfeu Metës planin e tij për t’u arratisur në Greqi në vitin 1988-89, pasi të dy ishin shokë dhome dhe shok klase, por Meta vendosi ta spiunojë, madje u shfaq edhe si dëshmitar në gjyq kundër tij.
Me hapjen e dosjes pritet të marrë fund misteri nëse shtetasi I.M që e spiunoi Filip Talon është ish-presidenti Ilir Meta, apo ndonjë person tjetër. Vetë Ilir Meta, ish-president dhe sot kryetar i Partisë së Lirisë, ka rrëzuar pretendimet duke kërkuar gjithashtu transparencë përmes publikimit të dosjes.
"Kjo histori ka ndodhur kur unë kam qenë student, 19 vjeç në Fakultetin Ekonomik Tiranë. Kam qenë konviktor. Në klasë unë kisha shtetasin I.M i cili jetonte në konvikt dhe me origjinë dhe banimin e familjes e kishte në një rreth kufitar në Lindje të Shqipërisë.
Do ju lutem të më kuptoni se në kushtet ligjore ku ndodhem, enkas nuk përmend të plotë identitetin e këtij personi, pasi jam përgatitur për proces ligjor dhe dua të ruaj privatësinë e këtij personi dhe sidomos të familjes së tij, pasi të njëjtën gjë do desha të ndodhte privatësinë time e të familjes time", u shpreh dy vite më parë Filip Talo.
Megjithatë, është e paqartë se në çfarë rrethanash është thirrur ai sot të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshminë e tij.
Filip Talo rezulton që deri në vitin 2013 të ketë punuar në Drejtorinë e Metrologjisë. Ky institucion është në varësi të Ministrisë së Energjetikës dhe Transporteve, e cila në atë drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që drejtonte vendin në koalicion me Partinë Demokratike.
Filip Talo gjithashtu mbante detyrën e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe rezulton të përmendet në një raport të Kontrollit të Shtetit bërë në Drejtorinë e Metrologjisë. Pas vitit 2013, Filip Talo është zhvendosur në Amerikë dhe kthehet herë pas herë në Shqipëri.