Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj nuk ka pranuar që të largohet nga detyra si Kryetare e këtij institucioni.
Madje ajo i është drejtuar Komisionit të Venecias për një interpretim mbi rastin, teksa ka thënë se nuk do largohet nga detyra deri në mbërritje të opinionit të Venecias. Kjo pasi ajo pretendon se mandati i saj përfundon në fund të vitit të 2025 dhe deri atëherë do të jetë në detyrë.
Po ajo që bie në sy është se Zaçaj kryetare e GJK i drejtohet Venecias me një anglishte me gabime drejtshkrimore.
Që në nisje të kësaj kërkesë ku shkruhet “Consittitional Cout”, në vend që të ishte e shkruar “Constitutional Court”.
Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017.
Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.
Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.