Kolegji i Posaçëm i Apelit ka shkarkuar nga detyra kryeprokurorin Erjon Pano, i cili shërbente si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ish-kryeprokurori Erjon Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 24 nëntor 2022. Komisionerja Publike Irena Nino e ankimoi këtë vendim me arsyetimin se Pano “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë” dhei kërkoi KPA-së që të ndryshojë këtë vendim.
Vendimi për shkarkimin nga detyra të Pano-s u mor sot nga trupa gjykuese, e cila përbëhej nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, ndërsa cilësohet se ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në germën “b”, të pikës 1 të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erion Pano”- thuhet në vendimin e KPA-së.
Kujtojmë se ish-kryeprokurori Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2005, ai është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa nga viti 2013 deri në 2018-ën ai ka ushtruar funksionin e Zëvendësdrejtuesit në këtë prokurori. Në 2020, Pano u vendos si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.