Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shkarkimet në RTSH, flet për herë të parë Alfred Peza: Paguheshin punonjës që nuk vinin asnjë ditë në punë

Shkruar nga Newsbomb
Shkarkimet në RTSH, flet për herë të parë Alfred Peza:
Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza

Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza ka folur për herë të parë në lidhje me akuzat për shkarkimet e padrejta të punonjësve në këtë institucion gjatë kohës që ai mori drejtimin.

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Medias, të zhvilluar paraditen e sotme në cilësinë e dëshmitarit të thirrur më herët nga opozita për të dhënë llogari mbi shkarkimet e padrejta, drejtori i RTSH-së, Peza ka deklaruar se termi largime masive për të është “fake news”, dhe se shkarkimet kanë ardhur për shkak të fenomenit të vegjetimit prej vitesh, pa produkt pune të disa punonjësve.

Sipas Pezës disa nga arsyet e largimit kanë qenë për shkak të thyerjes së disiplinës në punë, pasi në këtë institucion ka patur punonjës që paguheshin pa ardhur asnjë ditë në punë, punonjës që jetonin jashtë dhe rezultonin si të punësuar në këtë institucion si dhe gazetarë që nuk kanë sjellë asnjë produkt mediatik gjatë viteve të tyre në karrierë.

Peza shton gjithashtu se RTSH-në e gjeti në vdekje klinike, pa audiencë dhe çdo gjë po shkonte drejt fundit, ndërsa me reformimet e ndërmarra nga ai, ky institucion po shikon një sukses të dukshëm në fushën mediatike.

21 punonjës në pension, 21 të dorëhequr 89, të larguar me procedurë 44, braktisje të vendit të punës rreth 12, pra në total 166. Thyerje e disiplinës në punë, braktisja e emisionit, shkelja e statutit.

Kemi gjetur në institucion persona që kishin 23 vjet që kishin pa ardhur asnjë ditë në punë dhe zyra e tyre ishte shëndërruar në kafaz pëllumbash për pëllumbat e lagjes. 18 vjet të paguar si gazetarë dhe operatorë, por pa asnjë produkt në arkivat e Radio Televizionit Publik Shqiptar, asnjë kronikë, por e kanë marrë rrogën për 18 vjet.  

8 vjet që kanë mbuluar aktivitetet e drejtuesve kryesorë të vendit dhe në arkivat e RTSH ka një terr dhe mungesë historike të aktiviteteve dhe veprimtarisë së tyre. Bëhet fjalë për nivelet më të larta të drejtuesve të qeverisë dhe shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, paguheshin punonjës që jetonin dhe punonin jashtë Shqipërisë, në Evropë e deri në Amerikë.

Nëpër kafe rrinin nga 200-300 veta, në diskutim as konkurrenca, as cilësia, as plotësimi i kritereve, diskutimi nëse duhej të vinin apo jo në punë. RTSH e gjeta në vdekje klinike, me 0.01% audiencë dhe çdo gjë ishte me drita të kuqe”,- tha drejtori i RTSH-së, Alfred Peza.

Gjatë mbledhjes, deputetja e PD-së, Ina Zhupa kundërshtoi duke thënë se shkarkimet e bëra nga Peza gjatë mandatit të tij në krye të RTSH-së do të kenë pasoja financiare, që do të thotë shpërdorim i parave publike, pasi ka shkelur procedurat për heqjen nga puna të punonjësve.

"Ke shkelur procedurat për heqjen nga puna",- tha Zhupa.

Megjithatë, për drejtorin e RTSH-së, Alfred Peza kjo nuk është e vërtetë pasi nuk ka asnjë dëm financiar mbi vendimet duke qenë se asnjë proces gjyqësor nuk ka vendime të formës së prerë.

Asnjë dëm financiar vendimet. Janë gënjeshtra, u tha që ka 46 procese të hapura, ky numër nuk është i saktë, asnjë proces nuk ka vendime të formës së prerë”,- përfundoi Peza.

Më herët, në prill të këtij viti, deputetja e opozitës Ina Zhupa kërkoi një seancë dëgjimore me drejtorin e RTSH-së, Alfred Pezën në Komisionin e Medias.

Sipas Zhupës, dëgjesa duhet të zhvillohej në kuadër të llogaridhënies për funskionimin e RTSH-së, largimet nga puna dhe përdorimi i fondeve.

Unë kërkoj të përfshihen në kalendarin 3 javor të komisionit, të thirret në një dëgjesë drejtori i dorëhequr dhe tërhequr nga dorëheqja drejtori i RTSH-së Alfred Peza, si dhe këshilli drejtues në mënyrë të tillë që të raportojë mbi mënyrën si po funksion RTSH, mbi shkarkimet masive nga puna dhe përdorimin e fondeve”,- thuhej në deklaratën e Zhupës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese