
Aktivistë të shoqërisë civile kanë kallëzuar në SPAK kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj si dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa për shfaqjen franceze “Fous de Bassin dhe Ilotopie” e zhvilluar në datat 15 dhe 16 maj mbi ujin e Liqenit Artificial të Tiranës.
Sipas aktivistëve, shfaqja e prezantuar në kuadër të Javës Kulturore të Francës përmbante elementë seksiste dhe satanike të vëna në skenë përballë fëmijëve të mitur dhe familjarëve të pranishëm, ndërsa nuk ishin ndërmarrë masa të shtuara ose paralajmërime, që ajo nuk mund të shikohej nga kjo kategori e shoqërisë.
Gjithashtu, ato kërkojnë që ambasada franceze të dalë me një deklaratë ku të sqarojë përmbajtjen dhe mesazhin që kanë dashur të përcjellin me shfaqjen mbi ujë që përmbante elementë satanikë dhe seksistë të vëna përpara fëmijëve duke kërcënuar dhe cenuar në këtë mënyrë kulturën e familjes shqiptare.
Kujtojmë se shfaqja kulturore “Fous de Bassin dhe Ilotopie” u vendos në skenë në datat 15 dhe 16 maj në kuadër të Javës Kulturore të Francës në Shqipëri.
Ndonëse ishte parashikuar që kjo shfaqje të dhuronte një spektakël ndryshe mbi ujin e liqenit në kryeqytet, duket se disa elementë anormalë e bënë atë që të vihej në qendër të kritikave.