Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e shënuar mbrëmjen e djeshme në njësinë Bërdicë në Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar.
Nga ngjarja mbeti i plagosur Amarildo Gjergji, ndërsa autori është Gent Dushku, i cili ndodhet në kërkim nga policia.
Burime për media bëjnë me dije se familja Gjergji ishte në konflikt me familjen Luka, me të cilët edhe janë fqinj. Sherri mes dy familjeve është për një vajzë, dhe në konflikt është përfshirë edhe dhëndri i familjes Luka, Gent Dushku.
Gent Dushku ka shkuar mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e 17-vjeçarit për t’u sqaruar, ku edhe ka debatuar me babain e adoleshentit.
Në një moment i ati i 17-vjeçarit ka nxjerrë një kaçavidë, pikërisht në atë çast Dushku ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Amarildo Gjergjin, në sy të nënës dhe të babait.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e kësaj plagosje të ndodhur për motive të dobëta. Efektivët kanë sekuestruar kaçavidën dhe gëzhojën me të cilën qëlloi shtetasi Gent Dushku.
“Rreth orës 18:10, në vendin e quajtur “Harku i Berdicës”, shtetasi G. D., dyshohet se ka plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, banues në Bërdicë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorit. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia dje.