Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 31 marsit, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës, Tiranë, ku pas një sherri mes dy grupesh me të rinj, humbi jetën 18-vjeçari Aurelio Dervishi. I riu u qëllua me thikë në gjoks nga bashkëmoshtarët e tij dhe fatkeqësisht gjeti vdekjen rrugës për spital, ndërkohë autorët u larguan menjëherë pas ngjarjes.
Ndërkohë, së fundmi Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e katër autorëve. Të rinjtë janë kapur në zonën e Farkës në Tiranë si dhe më pas janë shoqëruar për në Komisariat. Ata po merren më pyetje për të zbuluar rolin e gjithsecilit në këtë ngjarje të rëndë që i mori jetën Dervishit. Një prej të shoqëruarve është 20-vjeçari Frensis Shehu.
"Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes", thuhet në njoftimin e Policisë.
Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se shkak për sherrin mes të rinjve dyshohet se është bërë një vajzë. Më herë shoku i 18-vjeçarit tregoi në komisariat si nisi sherri që i mori jetën Aurelio Dervishit. Sipas tij gjithçka ishte për shkak të një konflikti të çastit, ku dy grupet e të rinjve që po udhëtonin me dy automjete të ndryshme kanë nisur sherrin në distancë, pas fjalëve “Ç’a ke që shef?”.
Gjithashtu shoferi i mjetit ku ndodhej viktima ka deklaruar se nuk i njihte 5 autorët. Paraparakisht mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku lëvizte viktima që të ndalonte, por nuk janë bindur. Më pas dy makinat kanë ndaluar afër rrethit të Shkozës dhe aty janë konfrontuar fizikisht. Në ato momente i ndjeri Aurelio Dervishi është goditur me thikë në gjoks, duke mbetur i plagosur rëndë.
Dervishi ishte pasagjer në automjetin tip “Audi”, ndërsa autorët me automjet tip Volkswagen Tiguan”. Këta të fundit menjëherë pas ngjarjes u larguan, por arratia e tyre nuk zgjati shumë pasi efektivët e Policisë së Tiranës bënë të mundur kapjen e tyre.
Njoftimi i plotë i Policisë Tiranë:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Lidhur me këtë ngjarje priten më tepër detaje në vijim.